Shtyhet seanca për El Çekën, mbrojtja kërkon përjashtimin e gjykatëses Kizhevska

Shpërndaje

Seanca e sotme gjyqësore për Shekerim Ahmetin, i njohur si El Çeka, që zhvillohet në Gjykatën e Kërçovës është shtyrë, sepse mbrojtja e tij ka kërkuar të përjashtohet gjyqtarja Biljana Kizhevska për shkak mungesës së transparencës dhe anshmërisë në procedurë.

Para se të fillojë gjykimi, gjykatësja Kizhevska tha se në seancën e sotme do të ketë vetëm fjalë përmbyllëse, ndërsa aktvendimi do të sillet tjetër ditë, megjithatë për shkak parashtresës me shkrim nga ana e mbrojtjes për përjashtimin e saj seanca është shtyrë.

I akuzuari Ahmeti gjykohet në mungesë, ndërsa në procesin gjyqësor e përfaqëson avokati Besnik Asani, i cili është i autorizuar nga familja.

Avokati Asani tha se është pesimist në lidhje me kërkesën e tyre dhe se Prokuroria nuk ka dëshmi në lëndën në të cilën akuzohet Ahmeti.

Para Gjykatës Themelore në Kërçovë sot një grup qytetarësh ka mbajtur protestë për mbështetjen e kërçovarit Shekerim Ahmeti i njohur si El Çeka, i cili aktualisht jeton në Çikago, SHBA dhe prej atje publikon audio incizime për veprime të dyshuara korruptuese të krerëve të BDI-së. Ata mbanin transparenca në të cilat shkruan “Mos i dë*noni ato që paraqes kr*im”.

Organizatorët e protestë të cilët përfaqësohen si Shoqatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut thonë se luftojnë kundër drejtësisë selektive të vendit. Në protestën pjesëmarrje paralajmëroi edhe dega e Lëvizjes “Besa” në Kërçovë, e cila publikisht i ftoi anëtarët dhe simpatizantët e saj të bashkëngjiten në protestën e sotme.