Taksat në Zhelinë: Obligim qytetar apo “PLAÇKITJE” institucionale!?

Shpërndaje

Nga: Muhamed ZILBEARI

Për disa vite me radhë, çdo qytetari të Komunës së Zhelinës, i vjen një lLogari me dy grafa nga NPK “Mirëmbajtja”, Zhelinë. Në njërën (të parën) shkruan “Kanalizimi 110.8 den.”, ndërsa në të dytën “Taksa Komunale 100 den.” Kjo praksë ka filluar që në përbërjen e kaluar të Komunës së Zhelinës dhe po vazhdon edhe me përbërjen aktuale. Shpeshherë, qytetarët mes vete, parashtrojnë pyetje: “Ç’janë këto taksa dhe pse pagesë për kanalizim?”. Më e theksuar ka qenë taksa Komunale, por edhe pagesat për kanalizim nuk kanë mbetur shumë mbrapa. Në pyetjet që u parashtrohen drejtuesve të ndërmarrjes, shpeshherë përgjigjet janë: “Është vendim i Këshillit komunal dhe ne duhet ta zbatojmë”. Duke u nisur nga fakti se çdo vendim i Këshillit komunal duhet bazuar në Ligjin për pushtet lokal, ligjet tjera përkatëse dhe rregulloret tjera komunale, qytetarit i intereson baza e kësaj takse në grafën e LLogarisë, që është e faturuar nga NPK “Mirëmbajtja”, Zhelinë. I pari që duhet konsultuar në këtë rast është “Ligji për taksa komunale”, sepse në grafë shkruan “Taksa komunale”. Neni 3 i ligjit në fjalë, në mënyrë taksative i përcakton obliguesit e Taksave komunale dhe shërbimi, për të cilën merren këto para, nuk gjendet në këtë Ligj. Gabim teknik apo tentim për futjen e hutisë mes qytetarit pagues? Të shohim se ç’shkuan në “Ligjin për pastërti publike”. Nenet 2,3,5 dhe 7, pak a shumë e sqarojnë atë që shihet në terren dhe në grafën e llogarisë së NPK-së. Neni 2 thotë: Mirëmbajtja e pasërtisë publike, grumbullimi i bërllogut dhe pastrimi i borës në kushte dimërore, është veprimtari në interes publik me domethënie lokale. Pastërtia publike, grumbullimi i bërllogut dhe pastrimi i borës në kushte dimërore, përmendet në shumicën e neneve të këtij ligji. Neni 5, më gjerësisht e përcakton këtë veprimtari, ku përmend edhe mirëmbajtjen e “Sipërfaqeve publike”. Të shkojmë me radhë, për mirëmbajtjen e pastërtisë publike qytetarët duhet të paguajnë një paushall prej 100 denarëve për çdo muaj, i është i caktuar me vendim të Këshillit komunal, sipas Nenit 24 dhe 25 (supozimi im) të Ligjit për pastërti publike dhe jo sipas shënimit në grafën e llogarisë së NPK-së, si Taksë komunale. Pastrimi i borës në kushte dimërore po ashtu është shërbim komunal me karakter publik, por i finansuar nga buxheti komunal. Ndërlidhja e këtyre shërbimeve eshtë pak e koklavitur, për një shërbim duhet të paguajnë qytetarët, kurse për tjetrin ndahen mjete nga buxheti komunal.
Nëse participimi për shërbimin e parë është qëllimi i edukimit të qytetarit për vetangazhimin e tij për rruajtjen e ndotjes së ambientit, e kuptoj, por mbushja e buxhetit komunal për dy raste të njëjta, nuk mban. Menaxhmenti i komunës dhe i ndërmarrjes duhet ta precizojnë llogarinë e lëshuar dhe shërbimet që i ofrojnë në praktikë.
T’i kthehemi pakë “grafës” tjetër (të parës), ku shkruan “Kanalizim” 110.8 den, e cila është më tëpër kategori politike se sa ligjore, edhe pse të gjitha lidhjet (kyçjet) individuale në rrjetin e kanalizimit janë të mbuluara me kontrata Individuale. Ishte praktikë e të gjitha menaxhmenteve Komunale në të kaluarën, por edhe kjo e tashmja, për realizimin e ndonjë projekti, e në veçanti të atyre në lidhje me kanalizimet, të kërkojnë participim nga qytetari. Në shumicën e vendbanimeve ku është realizuar Projekti i kanalizimit, çdo familje ka paguar participim prej 300 eurove. Vendimi apo bashkëpunimi Komunë – familje ka qenë vullnetare, por më vonë ka kaluar në obligative.
Obligim ligjor i çdo komune është që qytetarit t’i mundësojë infrastrukturë të mirëfilltë, si një nga kushtet për një jetë më të mirë. Ky obligim del nga obligimi i qytetarit të paguajë çdo pagesë komunale që i është caktuar me ligj. Participimi i qytetarit jashtë këtyre obligimeve është keqpërdorim. Përveç participimeve, qytetari tani është i obliguar që, përveç participimit, të ndajë mjete edhe për mirëmbajtje të rrjetit (supozimi im sepse në grafë shkruan vetëm kanalizimi). Përveç ktyre kategorive, qytetari është i obliguar që për çdo muaj të paguajë edhe për grumbullimin e bërllogut për objekte individuale, që sipas koncesionit, e ushtron Ndërmarrja “Goni” nga Dëbërca, e që kjo pagesë mujore kushton 175,00 denarë. Së shpejti do të arrijë edhe pagesa tjetër për shërbimet e ujit për pije, e cila sigurisht do të jëtë shumë më e lartë se të lartpërmendurat. Unë në këtë shkrim nuk do të konkludoj për ngarkesën e qytetari me një rrogë të vogël apo që nuk ka rrogë aspak, por le të mbetet në këndvështrimin e Menaxhmentit komunal dhe të vet lëxuesit.