VV e LDK mohojnë spekulimet: S’kemi folur asnjëherë për ndarjen e ministrive

Shpërndaje

Dy partitë që kanë dalë fituese nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, në përpjekjet për të harmonizuar programet që do të mund t’i çonin në bashkëqeverisje, nuk po nguten që të flasin për ndarje të Ministrive. Kështu kanë deklaruar për Gazetën Express nga LDK dhe Vetëvendosje, tash kur po raportohet se të njëjtit po i mban larg koalicionit, mos dakordimi për hise në ministri.

Gazeta EXPRESS

Kandidati për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, e kundërshtarja e tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani para zgjedhjeve të gjashtë tetorit u zotuan, e për këtë edhe dhanë nënshkrimin, se nëse fitojnë, qeveria që ata do të mund të udhëheqin nuk do të ketë më shumë se 15 ministri e 30% e tyre do të jenë gra.

Tash kur nga data e zgjedhjeve ka kaluar një javë, VV e LDK-ja që radhiten të parat me një diferencë të vogël në vota, kanë vazhduar bashkëpunimin e paralajmëruar edhe para zgjedhjeve, duke mbajtur një takim në nivel të liderëve. Pas saj, Kurti e Osmani paralajmëruan se duhet të krijohen grupe punuese që do të merren me harmonizim të programit, që do të mundësonte bashkëqeverisjen.

Kështu LDK e VV kanë përzgjedhur nga tre persona prej secilës parti që të marrin pjesë në mbledhjen e grupeve punuese të ekspertëve, ku do të tentohet që të gjendet një mundësi bashkëpunimi.

Ajo se çka nuk është bërë e ditur deri më tani është se si do të bëhet ndarja e Ministrive, pasi që në votat që janë numëruar deri më tani del se këto dy parti marrin më shumë se 60 deputetë, e nuk kanë nevojë për tjetër partnerë në qeverisje.

U tha se LDK është duke kërkuar nga Vetëvendosje numër të barabartë të ministrive, për shkak se rezultati nga zgjedhjet flet për një diferencë shumë të vogël.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri i ka thënë sot Gazetës Express se me Vetëvendosjen e Albin Kurtit ende nuk kanë folur për ndarje të ministrive. Ajo që sipas Hazirit momentalisht është e rëndësishme është që të harmonizohet fillimisht programi qeverisës.

“Ende nuk është biseduar për resorët ministrore, po punohet në politika programore të qeverisë. Grupet punuese 3+3 janë duke harmonizuar programin qeverisës. Liderët e koalicionit të mundshëm në fund dakordohen për pjesëmarrjen në qeveri dhe ndarjen e resorëve”, ka thënë Haziri.

Njëjtë janë përgjigjur sot gjatë ditës edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Nuk janë të vërteta ato lajme që po qarkullojnë dhe se ende nuk kemi bë asnjë diskutim në lidhje me ministritë”, thuhet në përgjigjen e VV-së për Gazetën Express.

Tash kur nuk ka përfunduar ende numërimi i të gjitha votave, LDK e VV kanë filluar diskutimet për mundësinë e bashkëpunimit në qeverisje, ani pse pavarësisht se janë caktuar nga tre persona nga dy partitë, një takim mes tyre nuk ka ndodhur as gjatë të martës.

Të dy partitë e patën zotim partiak gjatë fushatës që pas zgjedhjeve të krijojnë qeveri me një numër të vogël të ministrive, krahasuar me qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Deri më tani nga votat që janë numëruar Vetëvendosja vazhdon të radhitet si partia e parë me 25,50%, derisa LDK-ja e Isa Mustafës ka marrë 24,83%./GazetaExpress/