Zaev: Kuvendi të shpërbëhet në fund të shkurtit, të mos rrezikohet ratifikimi i protokollit

Shpërndaje

Maqedonisë së Veriut i nevojitet Parlament funksional deri në fund të muajit shkurt që mos të rrezikohet ratifikimi i protokollit përfundimtar për anëtarësim në NATO. Kryeministri Zoran Zaev kërkon që Kuvendi të shpërbëhet në afatin minimal para zgjedhjeve të parakohshme në prill të 2020-tës. I pari i ekzekutivit nuk sheh mundësi për anulimin e zgjedhjeve.

Unë nuk e shoh atë mundësi sepse si fillim nuk shoh pengesa në procesin e ratifikimit të protokollit. Ne bashkë me të gjithë partnerët e koalicionit dhe subjektet politike u pajtuam për datën e zgjedhjeve, ndërsa unë personalisht e luta presidentin që shpërbërjen e Kuvendit mes 45 dhe 60 ditëve, duke e shfrytëzuar të drejtën Kushtetuese ta bëj në afatin minimal prej 45 ditëve. Me këtë Kuvendin do ta kemi funksional deri më 26 shkurt kur edhe Kuvendi jonë duhet ta bëj ratifikimin e protokollit për në NATO dhe të përmbyllet cikli i anëtarësimit të plotë – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Përveç protokollit, Kuvendi duhet t’i miratojë edhe ndryshimet në Ligjin për Mbrojtje. Ndërkohë, me caktimin e zgjedhjeve të parakohshme mundësia për regjistrimin e popullsisë në pranverë të 2020-tës bie poshtë. Zaev kërkon që ligji të miratohet më së voni në fund të vitit.

Unë besoj se ligjin do ta miratojmë. Besoj se vlerësimi i Entit të Statistikave do të jetë gati. Është shumë me rëndësi që deri në fund të vitit ta miratojmë ligjin. A do të ketë ose jo regjistrim të popullsisë në vitin 2020, si fillim duhet ligji. Pilot-regjistrimi kaloi suksesshëm dhe shteti duhet ta zbatojë. Tani kur kemi vendosur me konsensus që zgjedhjet të jenë në prill të 2020-tës, e kemi humbur mundësinë që regjistrimi të mbahet në këtë periudhë – u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Enti Statistikave gjatë ditës ka dorëzuar kërkesë tek Ministria e Drejtësisë si propozues e Ligjit për Regjistrimin e popullsisë që afati i regjistrimit të shtyhet për një vit, me arsyetimin se sipas praktikave ndërkombëtare, zgjedhjet dhe regjistrimi nuk mund të realizohen paralelisht. /Alsat-M/