Aleanca akuzon Qeverinë se gënjeu për sistemin e ngrohjes së Spitalit të Çairit

Shpërndaje

Gjithçka që kjo qeveri dëshmoi përgjatë këtyre tre viteve qeverisje është dështimi i tyre i padiskutueshëm. Interesat personale janë mbi të gjitha, ndërsa interesat e qytetarëve as që vijnë në shprehje.

Ende pa hyrë mirë në dimër kemi filluar të rangohemi si vendi me ajër më të ndotur në botë dhe kjo qeveri e udhëhequr nga LSDM-BDI as që ka marrë ndonjë masë konkrete për këtë shqetësim serioz. Madje dorë për dore sa i përket ndotjes së ajrit, premtojnë projekte gjigante por njëkohësisht harrojnë që shumica e institucioneve për të cilat u premtua që do ta ndërrojnë sistemin e ngrohjes, vazhdojnë që Mazutin ta përdorin si lënde djegëse edhe atë duke filluar nga Gjinekologjia e Çairit, për të cilën dimrin e kaluar pati shumë reagime për shkak të ndotjes që shkaktonte kaldaja e vjetër e këtij spitali.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov aso kohe i dha Spitalit afat 30 ditor për gjetjen e një zgjidhjeje, në të kundërtën me urdhëresë të qytetit të Shkupit do të rezultonte mbyllja e Spitalit. Në vend të marrjes së masave përkatëse pezulluese pushtetarët si ministri Filipçe, doli në mbrojtje të Spitalit duke premtuar njëkohësisht edhe zgjidhjen e këtij problemi. Ai mes tjerash shtoi se afati 30 ditor për ndërrimin e sistemit të ngrohjes nuk është logjik, për shkak se sipas tij, ligji pamundëson shpalljen dhe zbatimin e tenderit për një periudhë kaq të shkurtër kohore. Kujtojmë se ministri edhe pse i doli në mbrojtje spitalit nuk u doli në mbrojtje qytetarëve, pasi premtimet e tij rezultojnë të jenë vetëm një manipulim për politikë ditore, aq më tepër duke u bazuar në Sistemin Elektronik për Furnizime Publike ku pjesë e marrëveshjes për Spitalin vazhdon që Mazuti të konsiderohet si lëndë djegëse pavarësisht ndotjes që shkaktohet nga kjo lëndë. Për sigurimin e kësaj lënde janë shpenzuar 50.000€, ndërkaq projekti për ndërrimin e sistemit të ngrohjes kap vlerën e 150.000€, vlerë kjo e cila vazhdon të qëndroj në letër që nga viti 2017.

Ne si Aleancë për Shqiptarët pyesim publikisht kryeministrin Zaev, se si do të luftojë ndotjen e ajrit me projekte megalomane duke ndërtuar tramvajë kur qeveria e tij nuk është në gjendje të zgjidh problemin e Spitalit të Çairit. Njëkohësisht ne nuk mund të amnistojmë nga përgjegjësia qeverisëse edhe pushtetin lokal, i cili nuk merr masat e duhura që janë në kompetencat e tij për zgjidhjen e problemit në fjalë.

Ne si Aleancë nuk bëjmë kompromis me shëndetin e qytetarëve andaj theksojmë se çdo arsyetim tjetër është i pabazë që nuk i shërben zgjidhjes së problemit por interesave të ngushta grupore dhe individuale.

Potencojmë faktin se përveç spitalit të Çairit, në Sistemin për Furnizime Publike figurojnë edhe institucione tjera që si lëndë të parë për ngrohje përdorin Mazutin, por ky rast është urgjent dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme!