Arben Taravari me Facebook e shkarkon Kryetarin e Bashkësisë Lokale Çegran

Shpërndaje

Përmes një komenti në Facebook, një natë pas emisionit #ClickPlusOda që u mbajt në Çegran, Kryetari i Gostivarit Arben Taravari i ka propozuar Kryetarit të Bashkësisë Lokale të Çegranit, Sabri Baftijarit, të tërhiqet nga posti i tij.

“Unë nuk kam dash që ta bëj publike, për mos me krijuar përçarje në fshat, por tash e shoh se nuk e meritoni ju respektin tim. Tash po e them publikisht që ju më keni thënë që të japim mendimin pozitiv dhe që ju do të më sjellni mendimin nga bashkësia lokale Çegran. S’dua të vazhdoj më tutje se kam edhe fakte tjera, prandaj mendoj që nuk e meritoni pas kësaj vendin e kryetarit të Bashkësisë lokale, andaj ju sugjeroj sa mê shpejtë të tërhiqeni nga ky pozicion” ka shkruar Taravari në koment.

E në koment-replikën e tij, Kryetari i BL Sabri Baftijari pranon që t’i nisë procedurat e tërheqjes së tij nga posti ndërsa i kërkon Taravarit të nxjerrë gjithçka që ka për të por duke i kujtuar se më pas “do të vazhdojnë urimet”!

“Arben Taravari me plot respekt, më vjen keq për kundërshtimin e fjalëve tuaja BOSHE, më vjen keq se dolën fjalët e dikuj që mos me ju zëne besë, por megjithatë, edhe për lëshimin që tash ma do e them për gabimin e bërë nga ana juaj mbas fakteve, një muaj e gati dhjetë ditë keni pasur në tavolinë dokumentin tim, shiqoni datat pak më mirë i nderuar, por si do të jetë u mundova t’ju dal në mbrojtje një muaj të tërë e tash e shof se vërtet bëni përçarje ju vetë në fshatin tonë, por nëse në mënyrë të hapur më shkruani në komente e ndjej për obligim t’ua kthej, se ju pata lajmëruar se unë jam Sabri Baftijari dhe se nuk hyra për poste apo punë personale përpos të jem në vigjilenc të banorëve të mij” shkruan në koment-replikë e tjj Baftijari.

Pas këtyre replikave në Facebook, në faqen e Bashkësisë Lokale të Çegranit, Sabri Baftijari ka shkruar se jep dorëheqje të parevokueshme. “Për elane partiake apo interesa perosonale të njerëzve të punësuar në Komunën e Gostivarit, gjegjësisht z.Arben Taravari nuk mund ta ushtroj këtë detyrë nën ombrellën e Komunës së Gostivarit” shkruhet në postimin në faqen e Facebookut të Bashkësisë Lokale Çegran.

Mospërputhja e deklaratave mes Kryetarit të Komunës dhe atij të Bashësisë Lokale Çegran dolën në pah që mbrëmë gjatë debatit në emisionin #ClickPlusOda në TV21. Kryetari i BL këmbëngulte se nuk ka dërguar mendim pozitiv për hapjen e gurores në fshat, e edhe përkundër kësaj, prap se prap Komuna në nëntor 2018 kishte dërguar mendim pozitiv në Ministrinë e Ekonomisë. Taravari gjatë debatit të mbrëmshëm, por edhe në komentin e mësipërm, pranoi se mendimin nga Bashkësia Lokale e ka marrë vetëm gojarisht, duke u bazuar në, siç thotë, fjalët e Baftijarit i cili i kishte thënë se mund të gjendet një gjuhë e përbashkët mes banorëve dhe investitorit./TV21