Ballkani Perëndimor 6+ dhe përpjekja për minishengenin rajonal

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Takimi i disa liderëve të Ballkanit Perëndimor në Ohër, nuk u mbajt në kohë të përshtatshme, me përfaqësues të duhur dhe në përbërje të plotë, por si proces nuk mund t’i dëmtojë shqiptarët në këtë fazë të zhvillimeve gjeopolitike në rajon dhe Evropë.

Sa shumë mungon mes popujve ballkanikë, sidomos ndër ne shqiptarët, mendimi politik i lirë, i qartë, analitik, i thellë, logjik dhe përmbajtjesor.

Sapo të ndodhë diçka në skenën politike, menjëherë sulen në debate, analiza dhe komente edhe njerëz të ditur edhe truthatë, politikanë dhe analistë, studiues dhe gazetarë, shumica e të cilëve shkrimet dhe opinionet e tilla i kanë hobi, jo profesion, sa për t’i mbushur faqet e gazetave dhe portaleve, si dhe për të zënë hapësirat në mediet elektronike sikur dikush t’ua ketë besuar fatin e kombit në duart e tyre, ndërsa në të gjitha paraqitjet e tyre publike vërehet qartë preokupimi kryesor, ose për të mbrojtur ngjyrat partiake dhe interesat e ndonjë grupimi politik me të cilin ndajnë mendime dhe nxjerrin përfitime të përbashkëta, ose me synim për t’u imponuar në skenën politike dhe jetën publike.

Kështu ka ndodhur në shumë raste, si lidhur me marrëveshjen mes Kosovës me Malin e Zi për çështjen e demarkacionit të kufirit; me rastin tjetër për dyshimet se luhet lojë e fshehtë mes krerëve të pushtetit në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd për kinse ndarjen e Kosovës, apo shkëmbimin e përfolur të territoreve mes këtyre dy shteteve sovrane, si kusht për njohjen reciproke mes tyre; për ndërrimin e pushtetit të vjetër në Kosovë me fitoren e opozitës së deridjeshme në zgjedhjet e 6 tetorit; kështu edhe gjatë ditëve të fundit, kur debatet dhe deklaratat, opinionet, analizat dhe diskutimet e kësaj natyre po marrin hov në lidhje me takimin në Ohër të përfaqësuesve të shteteve të Ballkanit Perëndimor (Ilirikut) për krijimin e Minishengenit rajonal, por me këtë rast debatet kanë fituar në dinamikë, shpejtësi dhe ashpërsinë e tyre.

Siç duket, ne jemi populli më emocional nga të tjerët, sepse gjykojmë me emocione dhe jo me arsye; jemi me prirje ndikimi nga të tjerët, për kopjim dhe prodhim të lajmeve serike, meqë mjafton një opinionist ta hap rrugën i pari, një gazetar apo medie ta jep një lajm, qoftë edhe me efekte propagande të caktuar, që t’i jep kahe të panevojshme një ngjarje të sapondodhur, për të cilën pritet dhe qepet jeleku para se të dihen qëllimet e përdorimit dhe subjekti të cilit duhet t’i vishet ai.

Pa ua mbajtur anën politikave që udhëheqin pushtetet aktuale të shteteve të këtij rajoni, paragjykimet dhe vendosja para murit të pushkatimit e pjesëmarrësve të takimit në Ohër, si takim i dytë i liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor (Ilirikut), siç duket nga shumica e kategorive të njerëzve për krijimin e opinioneve, jo vetëm që është i ngutshëm, por edhe i paarsyeshëm, duke ditur faktin se ky projekt është krijesë dhe nën kontrollin rigoroz të politikës së jashtme të SHBA-ve dhe faktorëve të tjerë të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, madje dhe të NATO-s.

Pse duhet të ngrihet gjithë ky pluhur për një çështje për të cilën nuk vendosin politikanët dhe aq më pak qytetarët e këtyre shteteve, analistët, studiuesit, gazetarët dhe mediet, por faktorë të tjerë vendimmarrës dhe zbatues të projekteve kaq të rëndësishme, madje me peshë historike, siç është projekti gjeopolitik dhe gjeostrategjik i Ballkanit Perëndimor (Ilirikut), rrjedhimisht edhe i ashtuquajturi Minishengen për këtë rajon dhe planet tjera që do të ndërmerren dhe zbatohen në nivel të këtij rajoni në të ardhmen, në interes të përbashkët të gjashtë shteteve të rajonit, ndër të cilat edhe shteti i Kosovës, pavarësisht se drejtuesit aktual të pushtetit të Kosovës nuk kanë marrë pjesë në takimin e Ohrit, i cili sigurisht që nuk do të jetë i fundit për këtë çështje dhe çështje të tjera.

Në këto raste, kur janë në pyetje fuqitë e mëdha vendimmarrëse, të cilat kush e din para sa kohe i kanë hartuar këto plane dhe strategji, dhe tani vlerësojnë se ka ardhur koha për zbatimin e tyre, edhe mënyra e të kuptuarit dhe gjykimit mbi këto fenomene politike duhet të ndryshojë. Jo vetëm për faktin se jemi të pafuqishëm për ndryshimin e rrjedhës së tyre, por më tepër për logjikën e shëndoshë se, çfarë strategjie mund të jetë ajo të cilën mund ta kuptojnë edhe politikanët dhe analistët mediokër me dije modeste për çështjet e gjeopolikave globale?

Pa u thelluar në detaje dhe analiza më të hollësishme, që mund të na orientojnë në teori konspirative, kësaj radhe mund të ndodhë e kundërta e asaj që kemi ditur deri më sot sipas urtisë popullore: “nëse një i marrë e hedh gurin në lumë, njëqind të mençur nuk mund ta nxjerrin”, në rastin konkret, me takimin në Ohër në lidhje me liberalizimin (hapjen) e kufijve për qarkullimin e lirë të njerëzve, kapitalit dhe mallrave, mund të demantohen qasjet tona të sotme në një distancë kohore, kur edhe mund të del se: “gurin që e hedhin sot në lumë mijëra të mençur, nëse nuk kanë arritur ta nxjerrin e kenë lëvizur nga vendi këta liderë që ne sot i konsiderojmë si të marrë”, edhe për faktin se drejtuesit aktual të pushteteve në këto gjashtë shtete të rajonit janë të detyruar të besojnë në atë që u është thënë nga më të fortit, kreatorët e politikave globale, dhe që këta liderë duhet ta zbatojnë patjetër.

(13.XI.2019)