Deklaratë publike

Shpërndaje

Pasi një numër i madh i miqve dhe dashamirëve, duke u bazuar në personalitetin dhe profilin tim intelektual, më inkurajuan se duhet të merrem me politikë dhe, me kërkesë të eremitit të çështjes kombëtare, z. Hysen Haskajt, po i shpalos publikisht parakushtet e mia për t’u bërë pjesë e ndonjërit nga formacionet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut.

Formacioni politik në fjalë duhet të garantojë dhe t’i qëndrojë pas me vendosmëri mëtimit për:
1. Barabartësi juridike, gjuhësore dhe kulturore të shqiptarëve në RMV; 2. Zgjidhjes së të gjitha rasteve të montuara politike ndaj shqiptarëve, të cilët pafajësisht derxhen burgjeve të shtetit; 3. Përfaqësimit të mërgatës shqiptare në pushtetin qendror dhe vendor si dhe krijimit të kushteve të mirëqena investuese për ta dhe investitorëve të huaj, si: sigurimi i tokës shtetërore falas, shfuqizimi i procedurave byrokratike, parandalimi i ryshfetit, krijimi i infrastrukturës parapërgatitore për investim, trajnimi falas 3-6 muaj i kuadrit profesional nga ana e shtetit, etj.; 4. Departizimit të shtyllave kyçe të shoqërisë: arsimit, shëndetësisë, gjyqësisë, policisë dhe administratës shtetërore; 5. Çrrënjosjes së klientelizmit gërryes shtetëror: punësimit dhe avancimit të farefisit, klaneve dhe grupacioneve të caktuara; 6. Krijimit të kushteve të konkurrimit të barabartë në administratën shtetërore, në biznes dhe në të gjitha sferat shoqërore; 7. Krijimit të programeve afatgjate për avancimin e rinisë në bazë të meritokracisë dhe aftësisë profesionale, gjë që do të parandalojë edhe emigrimin masiv; 8. Krijimit të një platforme të mirëqenë sociale për shtresën e vobekët qytetare, duke ua siguruar atyre kushtet optimale për një jetesë normale;
Qëndroj fuqishëm pas këtyre parakushteve, përndryshe pjesëmarrja ime në politikë do të ishte e pakuptimtë dhe absolutisht e panevojshme.
Duke ju falënderuar thellësisht edhe një herë për respektin dhe konsideratën Tuaj ndaj meje!
Miqësisht
Arbër Çeliku