GJITHÇKA QË ZIEN POLITIKA NUK E HANË QYTETARËT PËRHERË

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Kush duhet të sjellë ndryshime në skenën politike në Maqedoni, kur dhe si?

Disa parti politike të shqiptarëve që veten e quajnë opozitare, nateditë zhvillojnë bisedime me përfaqësuesit e partive politike në pushtet, sidomos me ato të bllokut maqedonas, LSDM dhe OBRM-PDUKM (VMRO), madje këtë e dëshmojnë vetë drejtuesit e këtyre partive.

Deklaratat e drejtuesve të dy partive politike të shqiptarëve, ASH dhe BESA, të cilat kanë mbajtur një nivel të bashkëpunimit deri më sot, kanë filluar të ngrenë pengesa kundër këtij bashkëpunimi, me faktin që secila pret tyre preferon të bashkëpunojë me krahun tjetër politik të partisë partnere nga janë shkëputur këto parti të reja më parë.

Haj merre vesh tani, kush me cilin është realisht, kush kujt ia mbanë zhagun në këtë lojë, ndërkohë që shqiptarët e lodhur nga këto manipulime ende shpresojnë të ndodhin ndryshime në skenën politike, me këtë edhe të ardhme më të mirë në këtë shtet.

Nëse shqiptarët në Maqedoni do të ishin më vigjilentë, në nivel më të lartë të pjekurisë politike dhe të përgjegjshëm për fatin e tyre, të shkruar jo me laps por me sohë kali nga politika, anëtarësia e sinqertë nga të gjitha partitë politike do të rigrupohej në një front të ri politik, duke i lënë këta drejtues të partive politike të vazhdojnë me bisedimet dhe pazaret e tyre me partitë në pushtet të bllokut maqedonas, të zhytur në mashtrime dhe vetëmashtrime, në lakmi për pushtet dhe interesa personale, që të vetëpërjashtohen dhe izolohen nga skena politike dhe njëherë e mirë të shpëtojnë shqiptarët nga këto lojëra në emër të tyre dhe kundër interesave të tyre, duke i lënë tipat e politikanëve mashtrues të këtillë pa përkrahjen dhe votën e qytetarëve shqiptarë.

Deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë Veriore, të paralajmëruara të mbahen më 12 prill 2020, kanë mbetur afërsisht edhe pesë muaj. Asnjëherë nuk dihet çfarë çorbe zien politika dhe çfarë përgatitin qytetarët për interesat e veta dhe të ardhme më të mirë, jashtë darkave të fshehta dhe përtej perdeve të errëta të politikës.

(19.XI.2019)