Koncepti qytetar dhe raporti paradoksal i parimeve kundërthënëse në Maqedoninë e Veriut

Shpërndaje

Shkruan: Prof.Dr Arbër Çeliku

Pas dështimit të idesë për një autonomi brenda territoriale të shqiptarëve të Maqedonisë (1992), na u imponua përqafimi i konceptit multietnik, i cili, me ardhjen e qeverisë Zaev, u riformua në konceptin qytetar. Në shikim të parë, vetë fjala “qytetar” duket mjaft moderuese dhe joshëse, por, në ndërthurjet shtetërore-juridike, ajo është nyja ndërlidhëse paradoksale e parimeve kundërthënëse politike.

Koncepti multietnik a qytetar, në të vërtetë, u ngjiz në dialektikën politike të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe, me ardhjen e saj në pushtet (2002), u kthye në instrumentin kyç të veprimtarisë politike të kësaj partie, së cilës ajo i qëndroi besnik për 17 vjet, pra deri më sot.
Shumëkush tani mund ta parashtrojë pyetjen: Dhe çfarë të keqe ka këtu?!

Të keqe mund të mos ketë, por të shohim a ka të mira dhe cilat janë ato:
Marrëveshja e Ohrit imponoi ndryshimet kushtetuese me synimin e avancimit të statusit të komuniteteve, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët, por që çuditërisht nuk përmendemi askund. Edhe pse shqiptarët rrokën armët për BARABARTËSI, juridikisht u futëm në kazanin e njëjtë me komunitetet e tjera, të cilat tok së bashku, numerikisht nuk janë as sa çereku ynë. Në vazhdën e kohës, ato fituan politikisht në kurrizin tonë dhe asnjëherë nuk bënë aleancë me partitë politike shqiptare, për më tepër, ata u kthyen kundër nesh gjatë regjimit 1-dekadësh të Nikolla Gruevskit. Madje, edhe me gjithë përpjekjet maksimale të Ali Ahmetit që shqiptarët ortodoksë t’i kthejë te origjina, vetëm se rezultoi deri te eksponimi i një figure tërësisht manipuluese, i cili u mundua të përfitojë për xhepin e vet, që më pas të avullohet si vesa e mëngjesit.

Por, t’i kthehemi çështjes:
Në bisedë e sipër me një funksionar dhe disa aktivistë të BDI-së para ca ditësh, u përplasëm pikërisht për dialektikën politike të kësaj partie, boshtin e së cilës e përbën kryesisht koncepti multietnik dhe që ai është tematizuar fuqishëm edhe në platformën politike të kësaj partie. “Ne nuk rrokëm pushkën që të pëfitojnë të tjerët në kurriz tonin”, u shpreh ai, duke më lënë të kuptoj se dhe ai nuk pajtohej me platformën e partisë së vet. Dhe erdha në përfundimin se jo vetëm ai, por edhe shumë të tjerë në këtë parti, e kishin kuptuar dialektikën manipuluese 17 vjeçare.

Së fundmi, dialektika multietnike vetëm se u riformatua nga LSDM-ja në konceptim qytetar, por që paraqet një ndërlidhje paradoksale midis sferës juridike dhe asaj politike. Thënë më konkretisht, në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë dy kushtetuta paralele, njëra juridike dhe tjetra politike. Kushtetuta juridike është kryekëput unitare, ndërsa ajo politike qytetare. Sa herë që duhet të bllokohen proceset shqiptare në këtë shtet, si gjuha shqipe, përdorimi i simboleve tona kombëtare, përfaqësimi i drejtë, etj., atëherë tërhiqet leva juridike dhe lokomotiva bllokohet dhe, sa herë që duhet të joshet votuesi shqiptar në përkrahje të konceptit multietnik-qytetar, atëherë vjen në shprehja kushtetuta politike (lexo: Marrëveshja e Ohrit) dhe lokomotiva fillon të çajë përpara, duke fishkëlluar me të madhe këngën e mirënjohur të Boro dhe Ramizit.

Deri këtu vërtet nuk ka asgjë të keqe, madje shqiptarët, edhe pa u përmendur si të tillë juridikisht (veç politikisht), lëvizën nga pika zero e parakonfliktit dhe hapëruan drejt pikës 1 të paskonfliktit, duke i materializuar të drejtat e hordhive të tyre partiake, kush më shumë e kush më pak. Mgjithatë, të drejtat kombëtare mbetën në konstantën e njëjtë kohore dhe hapësinore, dhe kjo është e keqja e pafalshme.

Nëse në këto zgjedhje parlamentare, mëtohet të shpëtohet kjo dialektikë politike 17 vjeçare në kurriz të shqiptarëve, jemi në rregull, por të paktën, BDI-ja të marrë guximin për të sheshuar në një entitet të vetëm ekstremin juridik dhe politik kushtetues dhe Republika e Maqedonisë së Veriut të mos jetë më “shteti i maqedonasve dhe të tjerëve”, por “shteti i të gjitha popujve që jetojnë në të”. Është e pakumptimtë të pohohet sot e gjithë ditën se” pushteti ligjvënës mund të ndodhë vetëm me vullnetin e bashkuar qytetar”, që bazën e ka në doktrinën e shkuar komuniste dhe paraqet një fiksion të theksuar, për të maskuar a shtypur heterogjenitetin e vullnetit kombëtar të shqiptarëve. Sidomos, kur tashmë dihet fare botërisht mirë se praktikat kushtetuese të shtetit të së drejtës, kanë shërbyer vetëm se një instrument politik për jetësimin e një dialektike hileqare.

Asnjëri ndër parimet bazë kushtetuese të një shteti demkratik, siç pretendon të jetë Maqedonia e Veriut, nuk është jetësuar deri më sot në praktikë:

– Sistemi i të drejtave bazë dhe lirive të njeriut, për të gjithë njësoj, pa dallim kombësie, feje a race, i cili madje është kufizuar përmes të drejtave të të tjerëve (humbësit më të mëdhenj jemi ne shqiptarët)

– Qasja e barabartë në sistemin e drejtësisë (gjykatave), e cila të gjithë qytetarëve duhet t’u garantojë mbrojtjen e të drejtave, i cili rezulton të jetë në nivelin e shteteteve totalitare (burgjet e këtij shteti janë të stërmbushura me shqiptarë të pafajshëm si rrjedhojë e procese të montuara politike),

– Ndarja e pushtetit midis ligjdhënësit, së drejtës dhe ekzekutivit, i cili duhet të garantojë raportin e administrimit publik midis së drejtës dhe ligjit (në rastin tonë kjo është e sublimuar në një klientalizëm të egër dhe asgjë më shumë).

Pra, siç rezulton, kemi një deficit të theksuar të një demokracie funksionale, e cila vetëm se e thellon edhe më shumë dhe e grryen përbrenda hendekun qytetar.
Në pika të shkurtra, ky është poli i dielektikës mutietnike-qytetare, i cili sundon me shtetin në ditën e sotme në Maqedoninë e Veriut. Nga ana tjetër, kemi polin ekstremist, të ngjizur në dialektikën e një demokracie radikale, të përfaqësuar nga VMRO-ja, e cila, mbi një dekadë e ruajti me fanatizëm karakterin unitar, por edhe mono-etnik të shtetit, por që në fund eksplodoi fuqishëm dhe pati pasoja të mëdha për mbarë shoqërinë.

Sa i përket opozitës shqiptare, ajo ende vazhdon të luhatet midis dialektikës multietnike-qytetare dhe asaj të demokracisë radikale apo edhe të demokracisë shpërndarëse. Deri më tani, deklaratat e liderëve të saj (Selës dhe Kasamit) kanë qenë vetëm se deklarative për një federalizim apo konfederalizim të shtetit, por ende ka kohë që ata të përcaktohen për dialektikën e tyre, e cila do të duhet të sjellë risi në këto zgjedhje parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Unë, por besoj se edhe një pjesë e mirë e popullatës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, nuk do ta mbështesim më vasalitetin për hir të askujt, ka ardhur koha që ta marrim hisen tonë që na takon.

Për fund, shfrytëzoj rastin t’ia uroj martesën dhe ngjizjen multietnike deputetit të LSDM-së, z. Muhamed Zeqiri!