Kur interesi i partive politike nuk është edhe interes i popullit shqiptar në Maqedoni

Shpërndaje

Edhe në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare në Maqedoninë Veriore, partitë politike të shqiptarëve në lidhje me ndryshimin e sistemit zgjedhor vendnumërojnë dhe shkojnë me hapa prapa.

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Pyetja e parë, kryesore dhe më e rëndësishme që duhet t’u drejtohet partive politike të shqiptarëve do të ishte: pse nuk preferojnë sistem zgjedhor më të avancuar, me një njësi dhe me lista të hapura, përmes të cilave do të pastrohej skena politike nga politikanët e përjetshëm në pushtet, shumica të korruptuar dhe dyshuar për krime?

Paralajmërimi për mbajtjen e zgjedhjeve parlamantare të parkohshme në Maqedoninë Veriore siç duket i ka vënë në lëvizje të gjitha partitë politike në vend, sidomos partitë politike të shqiptarëve, me gjithë makineritë e tyre propaganduese, por dhe mediat komerciale, analistët e paguar, agjencitë për krijimin e sondazheve, xhambazët për shitblerje të votave, sidomos pretendentët për pushtet dhe lakmitarët me ambicie të egra dhe primitive, të këtyre që janë në pushtet dhe duan të mbeten sa më gjatë në atë pozitë, si dhe të atyre që janë në opozitë, që në mënyrën më të lehtë të mundshme, pa zgjedhur metoda e mjete, pretendojnë t’i zëvendësojnë të parët me njerëzit e partive të tyre.

Në këtë rast, të gjithë vrapojnë e premtojnë, por askush nuk preokupohet për rregullat e lojës që kanë krijuar sistemet shumëpartiake dhe demokratike, për ndryshimin e kodit zgjedhor, sistemit zgjedhor, njësive zgjedhore, ligjeve dhe rregullativës së vjetruar që duhet të ndryshohen, me qëllim që të gjitha subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje t’u sigurohen kushte më të mira për garë të barabartë, për arritjen e rezultateve sa më të mira në zgjedhje.

Si mund të shpjegohet fakti që, nga katër propozimet për ndryshimin e sistemit zgjedhor, dy propozimet nga blloku i partive politike maqedonase, LSDM dhe OBRM-PDUKM (VMRO-DPMNE), janë pakrahasueshëm propozime për sisteme më të mira zgjedhore se dy propozimet kryesore nga blloku i partive politike shqiptarare, të pozitës dhe opozitës?

Përderisa LSDM angazhohet për miratimin e një sistemi zgjedhor të ri, me një njësi zgjedhore dhe lista të hapura, kurse OBRM-PDUKM (VMRO) angazhohet për sistem proporcional me 120 njësi zgjedhore, aq sa deputetë ka Parlamenti i Maqedonisë Veriore, si mund të shpjegohet që të dy propozimet kryesore që vijnë nga partitë politike të shqiptarëve janë për sisteme më të papërshtatshme për rastin e Maqedonisë, sidomos për faktorin shqiptar, duke pasur parasysh përvojat e mëhershme në vendin tonë dhe në shtete të tjera.

Pse BDI kërkon të mbetet sistemi zgjedhor ekzistues me 6 (gjashtë) njësi, të pabalansuara dhe pabarabarta në dëm të shqiptarëve, ndërsa “ekspertët” e disa partive të opozitës shqiptare propozojnë një sistem zgjedhor me 8 (tetë) njësi, i cili i përgjigjet ndarjes territoriale administrative të shtetit, sipas regjioneve për planifikim ekonomik dhe zhvillimor, që si sistem zgjedhor me asgjë nuk është premtues për rezultate më të mira në favor të faktorit shqiptar në zgjedhjet parlamentare?!

Ka edhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë në rezultatet e dobëta të faktorit politik shqiptar në të gjitha ciklet zgjedhore, si, mosregjistrimi i popullsisë, problemet e qytetarëve shqiptarë me shtetësinë, listat e papastruara të zgjedhësve, seleksionimi negativ i kandidatëve në listat zgjedhore të partive politike të shqiptarëve, me libreza partiake dhe jo sipas kualifikimit profesional, përvojës dhe meritave.

(3.XI.2019)