KUR PUSHTETI TALLET ME INTELIGJENCËN E QYTETARËVE

Shpërndaje

Propozimligji për zbatimin e listave të hapura në zgjedhjet e ardhshme vendore (komunale), e jo në zgjedhjet parlamentare të radhës u lejon hapësirë veprimi të mëtejshëm bandave të korrupsionit dhe krimit në Maqedoninë Veriore!

Shkruan: Abdulla Mehmeti

KUR PUSHTETI TALLET ME INTELIGJENCËN E QYTETARËVE

Pse peshqit e mëdhenj të korrupsionit dhe krimit të organizuar në pushtetin aktual tentojnë që me lista të hapura të votohet në zgjedhjet ardhshme komunale, e jo në zgjedhjet parlamentare të ardhshme në Maqedoninë Veriore?

Pse pushteti mundohet t’i kapë peshqit e vegjël, jo edhe peshqit e mëdhenj, përmes kësaj dredhie politike në emër të ndryshimeve të Kodit zgjedhor?!

Për reforma thelbësore demokratike dhe ndërtimin e shtetit ligjor, pushteti aktual nuk duhet të ndërmerr iniciativa gjysmake, ndryshime formale, siç është rasti me propozimligjet për sistem zgjedhor me një njësi dhe për lista të hapura.

E dini ky qëndron dredhia? Me propozimet që pushteti insiston të bëjë reforma, ndryshime të Kodit zgjedhor, me aplikimin e sistemit me një njësi dhe me lista të hapura, ndërsa votimin me lista të hapura planifikon të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme lokale, jo edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të planifikuara më 12 prill të vitit të ardhshëm!

Kjo domethënë se, pushteti aktual nuk dëshiron që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të votohet me lista të hapura, ndërsa me këtë edhe njëherë do t’u mundësohet që peshqit e mëdhenj të korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe kësaj radhe të kalojnë lehtë në procesin zgjedhor dhe të mbeten pjesë e Parlamentit dhe Qeverisë së ardhshme.

Kjo nuk është reformë, por manipulim në emër të reformave. Kush merr pjesë në zgjedhjet lokale? Zakonisht garojnë figura politike të dorës së dytë, të tretë dhe më poshtë në hierarkinë e partive politike. Këta persona, zakonisht nuk janë drejtues kryesorë të partive politike, si të tillë edhe nuk mund të jenë faktorë kyç në organizimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Pse duhet të votohet me lista të hapura në zgjedhjet lokale, e jo në zgjedhjet e ardhshme parlamentare? Pse peshqit e mëdhenj duhet të mbeten edhe më tej të lirë nga dënimi që mund të marrin përmes votës së lirë të qytetarëve me lista të hapura?!

Qytetarët dhe shteti kanë nevojë për reforma demokratike thelbësore, sidomos ndryshime esenciale në Kodin zgjedhor, me sistem të ri me një njësi zgjedhore dhe me lista të hapura, por nuk kanë nevojë për lojëra të këtilla politike dhe taktika në stilin “haj se po bëjmë diçka sa për t’ua zënë sytë qytetarëve edhe kësaj radhe”, ndërkohë që korrupsioni dhe krimi i organizuar i rrezikojnë seriozisht themelet e shtetit, procesin e integrimeve, perspektivën evropiane dhe euroatlantike; me këtë edhe jetën, mirëqenien dhe ardhmërinë e qytetarëve të këtij shteti.