Listat e hapura e bashkojnë dhe forcojnë faktorin politik shqiptar në Maqedoni

Shpërndaje

Shktruan: Abdulla Mehmeti

Sistemi zgjedhor me një njësi dhe me lista të hapura i varros përgjithmonë ambiciet e çdo partie politike për dominim dhe manipulime me votën shqiptare, ndërsa e bashkon dhe forcon faktorin politik shqiptar.

Nëse në Maqedoninë Veriore ndryshohet sistemi zgjedhor, nga ky ekzistues me gjashtë njësi zgjedhore, të pabarabarta në bazë të numrit të votuesve, me sistemin e ri me një njësi zgjedhore dhe me lista të hapura, përfundojnë të gjitha shkaqet dhe arsyet për përçarje mes partive politike të shqiptarëve, shkapërderdhjen, keqpërdorimin dhe minimizimin e votave të qytetarëve shqiptarë, me këtë përfundojnë edhe arsyet për mosdaljen e faktorit politik shqiptar me lista të përbashkëta në zgjedhjet parlamentare (fuqinë dhe ndimin e tyre le ta matin dhe të garojnë si parti të veçanta, apo në koalicione mes tyre, në zgjedhjet për pushtet vendor), të partive të pozitës dhe opozitës shqiptare, sepse me asgjë nuk dëmtohet interesi i asnjë partie politike, përkundrazi të gjitha fitojnë aq sa e kanë fuqinë, përkrahjen dhe ndikimin e tyre në elektoratin shqiptar, në anën tjetër as partitë që aktualisht janë në pushtet, BDI, PDSH dhe Alternativa, me asgjë nuk kanë mundësi të fitojnë më tepër deputetë seç e kanë krijuar, ndërtuar dhe ruajtur besimin e tyre te votuesit shqiptar, ndërsa partive të opozitës shqiptare, ASH, LB dhe të tjerave, u krijojnë mundësi të barabarta, tepër më të mira se sa të garojnë me lista të veçanta të kandidatëve për deputetë, apo edhe të dyja së bashku. Megjithatë, secila provë në politikë paguhet, por me këto eksperimente nuk humbin partitë politike, humbin vetëm qytetarët shqiptarë.

Qytetarëve shqiptarë (votuesve) duhet t’u thuhet e vërteta. Nuk do të kishin më “nevojë” shqiptarët të zbulojnë dhe etiketojnë “tradhtarë”, dhe as të shpikin dhe afirmojnë “atdhetarë”, meqë këtë çështje e rregullon me shumë saktësi vota e lirë e tyre, por me sistemin me një njësi zgjedhore dhe me LISTA TË HAPURA, ku kandidati i fundit në listë mund të fitojë më tepër vota dhe ta fitojë mandatin për deputet, ndërsa i pari në listë mund të eliminohet nga skena politike me mosvotimin e tij nga votuesit, elektorati shqiptar.

Filozofi dhe shkencëtari i madh i lashtësisë, Arkimedi, nuk ka thënë së koti: “Ma gjeni një pikëmbështetje dhe unë do ta lëvizi gjithë Tokën!” Kështu, edhe sistemi zgjedhor me një njësi dhe me LISTAT TË HAPURA mund të krijojë mrekulli për shqiptarët në Maqedoninë Veriore.

(6.XI.2019)