Meta i thotë Haradinaj: Krenohuni me Ushtrinë dhe Policinë që e ka Kosova

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i vendit, Ramush Haradinaj bashkë me disa nga ministrat e Qeverisë sapo kanë arritur në Durrës në zonat e prekura nga tërmeti.

Ata atje janë takuar me policët dhe ushtarët e Kosovës të angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit, shkruan lajmi.net.

Haradinaj para mediave ka thënë se populli i Kosovës bashkëndjen me atë të Shqipërisë, si dhe vik*timat e tragjedisë.

“Jemi sot në Durrës, pranë efektivëve të policisë, ushtrisë së Kosovës e Shqipërisë. Ne bashkëndjejmë me familjet e vik*timat. Kemi një numër të caktuar të qytetarëve të Shqipërisë që janë në Kosovë. Kemi një vendqëndrim të cilin e kemi hap për strehim. Tani janë 500 persona të strehum aty. Kushtet nuk janë perfekte, por megjithatë kemi bërë përpjekje që askush mos të mbes në qiell të hapur”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë po ashtu se është e vështirë që ndihmat të menaxhohen, dhe se do të besojë që ato nuk do të keqpërdoren.

Ndërkaq, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se Kosova duhet të jetë krenare me FSK-në dhe Policinë që ka dhe angazhimin e tyre.

“Do të doja të falënderoja shtetin e Kosovës, popullin e Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës. Kryeminsitrin Haradinaj dhe të gjithë minsitrat që janë këtu. Në mënyrë të veçantë FFSK-në dhe Policinë e Kosovës të cilët kanë shkëlqyer me reagimin e menjëhershëm, dhe vazhdojnë po ashtu të bëjn më të mirën. Ky solidaritet e ka bërë më të lehtë përballimin e kësaj dhimbjeje. Duhet të jeni krenarë, për FSK-në dhe Policinë e Kosovës ngase çdo vend i NATO-s do të ishte krenar me angazhimin”, ka thënë Meta.

Mirënjohje për Kosovën kanë shprehur edhe të gjithë ministrat e Shqipërisë, qytetarët dhe kryeministri, Edi Rama.