“Pa drejtësi nuk ka qetësi”, vëllau i El Chekës: BD.I, 20 vjet bën pazare në kurriz të popullit (VIDEO)

Shpërndaje

“PA DREJTËSI NUK KA QETËSI, PA DREJTËSI NUK KA QETËSI”, thonin protestuesit

Këto ishin vetëm disa nga brohoritjet të cilat u thanë nga qindra protestues të cilët marshuan nga Çairi deri në Kuvend me banderola të ndryshme kundër rasteve të montuara politike siç i cilësuan vetë protestuesit. Ata kërkuan lirimin e personave të burgosur të cilët janë të pafajshëm dhe politikisht të burgosur.

“VDEKJE TRADHËTARËVE LIRI SHQIPTARËVE, VDEKJE TRADHËTARËVE, LIRI SHQIPTARËVE. LIRI PËR TRIMAT, LIRI PËR TRIMAT”, brohorisnin protestuesit.

E kur ju ofruan Kuvendit, ata nga foltorja ju dërguan mesazh të gjithë përfaqësuesve politik.

“Ne sot jemi këtu për të treguar shembullin e një guximi qytetar dhe kombëtar. Guximi qoftë edhe i një grusht njerzive, mund të rritë shpresën e një populli të tërë”, tha një protestues.

Kurse organizatori i protestës, Blerim Ahmeti tha se në Kuvendin e Maqedonisë, votohen ligje të cilat nuk përfillin asnjë të drejtë të shqiptarëve.

“Këtu partia politike me emrin BDI, gati 20 vite bën pazare në kuriz të popullit. Duke shitur interesat kombëtare për ato partiake. Në video inçizimet ne po dëgjojmë nga zërat e kësaj partie që shanë, nënçmon dhe keqpërdor femrën shqiptare. Gjithashtu dëgjohet nga funksionarë të lartë të kësaj partie se si kanë dhënë urdhëra për vrasje, plaçkitje deri në zhdukje të kufomave”, tha Blerim Ahmedi.

Jetulla Qerimi, vëllaI i Rexhail Qerimit, i dënuar në rastin Alfa nga foltorja i parashtroi pyetje Ali Ahmetit.

“Dua vetëm t’i parashtroj vetëm disa pyetje Ali Ahmetit. Pse asnjë rast i vrasjeve të ushtarëve të UÇK-së nuk u zbardh. Rasti i Komandant Telit, Komandant Ilirit, Komandant Shpendit Komandant Shaban Zenunit, Komandant Harun Aliut dhe shumë të tjerëve. Si ka mundësi që nuk u zbardh asnjë rast i vrasjeve të luftëtarëve të UÇK-së, pas luftës së 2001-shit”, tha Jetulla Qerimi, vëllau i Rexhail Qerimit.

Nga e njëjta foltore, kryetari i shoqatës së të burgosurve politik, Shpëtim Pollozhani tha se përpos rasteve të montuara politike në këtë shtet, shqiptarëve po u mohohet edhe e drejta e shkollimit. Ai pohoi se sms-at e publikuar të Xhelal Bajramit janë tregues më i mirë se të burgosurit e rastit Monstra janë të pafajshëm.

“Masakrimi dhe diskriminimi në arsim, nuk ndryshon nga diskriminimi i shqiptarëve në gjykata. Merreni me mend, sot në kohën e digjitalizimit optimal, shqiptarët nuk mund ta shftyrëzojnë të drejtën universale për të mësuar në gjuhën amtare. Rasti i Vizbegut, i Çashkës, i Jabollçishtit, i fshatit Idrizovë dhe shumë raste të tjera ku prindët maqedonas kundër hapjes së klasave në gjuhën shqipe në shkollat e tyre”, deklaroi Shpëtim Pollozhani.

Ata pohuan se kjo nuk është protesta e fundit, thonë se një e tillë do të organizohet edhe më 28 nëntor me fillim nga Sheshi Skenderbeu. Kjo protestë është vazhdimsi e protestave të mëhershme të organizuara nga vëllai i Sheqerim Ahmetit i njohur si El Cheka. Protestën e sotme e përkrahën edhe nga Lëvizja Besa./TV21