Paralajmërimi i një politike të kapitulluar nga ana e presidentit të shtetit

Shpërndaje

Shkruan: Arbër Çeliku

Deklarata e djeshme e presidentit Pendarovski më kujtoi një ngjarje nga e kaluara: fjala është për vitin 2003, kur luftoja me çdo mjet ta mbaja gjallë katedrën e gjermanistikës në Universitetin ende të palegalizuar të Tetovës (pasi të gjithë kolegët e atëhershëm e braktisën atë për rroga të majme në Universitetin e Evropës Juglindore). Si ligjërues i lëndës së metodikës gjermane atëbotë, e cila zhvillohej me absolventët (nja 6-7 në numër, por tepër të zellshëm), pasi dhe kisha filluar studimet e doktoratës në Mannheim dhe kisha ndjekur edhe disa kurse të specializuara në këtë fushë atje, u përpoqa shumë që t’ua mbillja metodat e reja në mësimdhënie: mësimin ndërveprues, punën në çifte dhe grupe, fokusimin te nxënësi si subjekt dhe jo si objekt, motivimin e nxënësit në radhë të parë, përvetësimin e nocioneve gramatikore përmes situatave konkrete komunikuese, të kuptuarit e psikologjisë së çdo nxënësi nga ana e mësuesit dhe trajtimin e tyre si fëmijën e vet, etj. Në të vërtetë, kaluam shumë mirë dhe të dyja palët mbetëm të kënaqur. Erdhi koha e realizimit praktik të njohurive të fituara, e cila do të kurorëzohej me hospitim dhe realizimin e një ore mësimore në shkollë. Në Tetovë thuajse ishte e pamundur, ngaqë drejtorët e shkollave kishin frikë nga MASH-i, kështu që mezi gjetëm një shteg në një shkollë në një zonë rurale të Shkupit (që për arsye etike nuk dua ta specifikoj me këtë rast). Me të mbërritur atje me grupin e studentëve, na priti drejtori, i cili na shoqëroi deri te klasa përkatëse. Mësuesi, një burrë i moshës së mesme, po ashtu na uroi mirëseardhje në derën e klasës dhe u futëm brenda. Grupi i nxënësve u ngrit në këmbë dhe si në korr klasa jehoi “Mirëdita!”. Sapo iu drejtuam tavolinës së mësuesit, vërejtëm regjistrin e kuq, një çantë krahu dhe një thupër thane, e ngjyrosur kuqezi, që ta kallte datën. Këtu mbaroi gjithçka pa filluar ende, koncepti im njëvjeçar i një mësimdhënieje moderne u përmbys sa hap e mbyll sytë. S’kisha çfarë t’u flisja studentëve të mi as gjatë dhe as pas përfundimit të orës mësimore, dhe as ata nuk dhanë asnjë koment. Në heshtje kuptuam gjithçka. Megjithatë, unë vazhdoj të jem krenar me ata, kur dëgjoj fjalë miradie nga ish-nxënësit e tyre dhe studentët e mi të tanishëm.
Pendarovski me deklaratën e djeshme, bëri të njëjtën gjë siç bëri me mua mësuesi me thuprën e thanës (kuqezi), ai e përmbysi me një të rame konceptin e politikës (pretenduese realiste) të qeverisë Zaev. Si president i vendit ai u vu në rolin e një politikani çajtoreje dhe dha një mesazh kontrovers, duke shpallur gjëmshëm kapitullimin e një politike ashtu-ashtu të kapitulluar.