Përmes një videoje të re, Anglia bën një tjetër falënderim për Kosovën (Video)

Shpërndaje

Nuk kanë të ndalur falënderimet që vijnë nga Anglia për mikpritjen që iu bë përfaqësueses së tyre në Kosovës. Vendi ynë për disa ditë ka qenë kryetemë në mediat angleze për shkak të ndeshjes ndërmjet dy përfaqësueseve, e cila u zhvillua të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Dardanët pësuan me rezultat 4-0, por kjo kishte pak rëndësi, pasi që i kishin humbur gjasat për kualifikim përmes kësaj rruge që pas humbjes nga Republika Çeke.

Porse, ajo që ka rënë në sy të opinionit anglez e që u transmetua përmes mediave të atjeshme, ishte mikpritja, mirësjellja, dashamirësia dhe zemërgjerësia e qytetarëve të Kosovës. Krahas shumë falënderimeve nga tifozët dhe zyrtarët, nuk ka munguar edhe falënderimi nga Federata Angleze e Futbollit.

Përmes një videoje të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, ku paraqiten disa nga skenat e ndeshjes, FA e ka falënderuar sërish Kosovën.

“Një pritje e mrekullueshme – Faleminderit Kosovë”, shkruan në përshkrim.