POLITIKA QË ZHURMON ATY KU NUK DUHET…

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Për mendimin tim, politikanët shqiptarë që e fituan besimin e qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 tetorit në Kosovë, nga radhët e Vetëvendosjes dhe LDK-së, në periudhën pas zgjedhjeve më tepër është dashur të fokusohen në problemet e brendshme të shtetit të Kosovës, madje edhe të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, në Sanxhak të Pazarit të Ri dhe në Mal të Zi, se sa në fushata politike të jashtme, me hapjen e zyrave dhe protestat në Tiranë.

Një klasë politike që shtetin e saj e ka të pabërë nuk mund t’i ndryshojë rrjedhat politike “me një hop” në një shtet tjetër (në këtë rast, shtet amë edhe i tyre) me traditë shtetformimi dhe shtetndërtimi mbi njëqindvjeçare.

Kjo kahe e gabueshme e një pjese të politikës në Kosovë, të mos themi se është me tendencë, tepër lehtë bie në sy edhe te faktori ndërkombëtar, prandaj mund të ketë pasoja, me pengimin dhe rikthimin e procesit në zgjedhje parlamentare të reja në Kosovë, jo për të humbur fitimtarët e zgjedhjeve të mëparshme të 6 tetorit, por drejtuesit e kësaj politike të marrin mësimin e duhur që nuk e kanë përvetësuar më herët.