Rasti “Monstra”, SMS-at e ish zyrtarëve të VMROsë dhe BDIsë

Shpërndaje

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot ka vazhduar gjykimi për rastin “Monstra”, gjegjësisht për vr*asjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, në të cilën janë prezantuar sms-porosi të politikanëve, njofton Portalb.mk.

Përplasjet BDI-VMRO për “Monstrën”

Sipas sms-porosive, partnerët e atëhershëm të koalicionit, BDI dhe VMRO-DPMNE, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, janë kujdesur se si të mos ndikojë negativisht në opinion.

Funksionarët e BDI-së, janë ankuar në lidhje me aksionet e policisë për arrestimin e të dyshuarve dhe për sjelljen e policëve.

Ish ministrja e MBP-së, Gordana Jankulloska, në një sms-porosi thotë se deputeti i atëhershëm, Talat Xhaferi, përpara raportuesit të Strasburgut është ankuar se nuk mundet që të arrestohet një grua nga policët burra. Por gjithashtu, edhe nuk mundet që ministrja Jankulloska të shkelë prezumimin e pafajësisë dhe t’i shpallë paraprakisht motivet e rastit.

Ish kryeministri Nikolla Gruevski, në sms porosi tjetër, akuzon BDI-në se po shpërndanë gënjeshtra.

“BDI në të gjitha anët po shpërndanë gënjeshtra për veprimin e MPB-së për vr*asjen e pesëfishtë. Ajo i bën dëm shtetit”, thuhet në njërën prej porosive të Nikolla Gruevskit.

Në një sms tjetër Gruevski ofendon gratë shqiptare, dhe kërkon që të reagohet ndaj Bashkësisë Fetare Islame, e cila ka dhënë vërejtje në lidhje me arrestimet.

“Ndonjë organizatë e grave ose Kisha Ortodokse e Maqedonisë le t’i replikojë Bashkësisë Fetare Islame. Po del se shqiptaret (e thotë me ton ofendues “shiptarkite”) në shtëpi mund të mbajnë edhe tanke, ndërkaq policia nuk mundet t’u bëjë asgjë vetëm pse janë gra muslimane”, shkruan Gruevski.

Të njëjtën porosi, ish ministrja e MPB-së, Gordana e Jankullovska e ka ridërguar në disa vende, duke shtuar “turp çfarë po na bëjnë kafshët”.

Ali Ahmeti është interesuar për dëshmitarin e koduar

Në maj të vitit 2012-të, pak kohë pas vr*asjes, Bujar Osmani ka qenë i ftuar në një emision në Alsat për të folur rreth rastit “Monstra”. Për këtë emision i ka shkruar Osmanit, ish deputetja Ermira Mehmeti.

“Pse po digjesh për ta mbrojtur Monstrën. Të pash mbrëmë dhe më erdhi keq, ti nuk je në ndonjë funksion të lartë në Qeveri, pse nuk i ike ballafaqimit për të folur për atë”.

Këtë porosi, Osmani ia ka treguar, Artan Grubit, ndërkaq ky i fundit ia ka treguar Ali Ahmetit.

Në seancë është lexuar edhe një komunikim mes Ali Ahmetit dhe Xhelal Bajramit, të bërë më 6 maj të vitit 2012-të.

Ahmeti: Si shkon?
Bajrami: Tani për tani mirë. Kemi disa informata për këtë fantomin (mendon për Haki Azirin i cili u përgatit për dëshmitar të mbrojtur, por më pas deklaroi se e kanë detyruar me dhunë që të japë dëshmi të rrejshme), i cili na është humbur si duket.

Ahmeti: Duket se me këtë fantom doli punë interesante.
Bajrami: Daja e tij, fantomi është nip prej motrës, është epror në Kontrollin e Brendshëm në MPB. Duhet që të kihet kujdes me fantomin. Nuk mundet vetëm me atë. Ashtu ishte në Sopot, dhe nuk doli asgjë.

Pas kësaj, Ahmeti komenton se shumë do të mbaronte punë nëse dy të arratisurit në Kosovë do të testoheshim. Bajrami e njofton se do të shkojë në Ambasadën e Amerikës, të cilët kanë qenë të interesuar për rastin.

Ditën e ardhshme, bashkëfolësit përsëri flasin për Azirin.

“Haki është lajmëruar më 19 dhe ka biseduar me babain e tij 1 minutë. Ka thënë se është mirë, por lokacioni ku gjendet nuk dihet. Kishte thënë se do të lirohet këto ditë”, thotë Ahmeti.

Ahmeti në një bisedë, Artan Grubit i thotë se punë do të dalë islamizëm, por diçka tjetër.

Në të njëjtën ditë Musa Xhaferi i lajmërohet Ahmetit dhe i thotë se nuk dihet ku është fantomi (duke menduar në Haki Azirin), ndërkaq familja vazhdimisht interesohet.

Ahmeti i thotë: Do të kenë probleme mes vete. Do të thonë e fshehën, e montuan.

Aziri disa ditë ka qenë i ruajtur në fshehtësi nga policia pasi që është dashur të përgatitet për dëshmitar të fshehur, pasi që ka deklaruar se ai i ka transportuar vr*asësit e fëmijëve. Pastaj, ai ka deklaruar se këtë deklaratë e kanë detyruar me dhunë ta japë, pas së cilës Prokuroria ngre akuzë kundër tij dhe i ndërrohet statusi nga dëshmitar në të akuzuar.

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vr*asjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit të kaluar solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu. Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.