Ringritja e Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri thellon krizën politike

Shpërndaje

Në Tiranë ngritja e Gjykatës Kushtetuese ka sjellë përplasje të reja mes presidentit Meta dhe mazhorancës socialiste. Të dyja palët bëjnë akuza të ndërsjellta për shkelje të Kushtetutës.

Të gjitha palët pranojnë që ringritja e Gjykatës Kushtetuese (GJK) duhet bërë një orë e më parë si një nga kushtet në krye të listës me 9 pika të Bundestagut gjerman për vijimin e reformave në Shqipëri. Por mjaftoi këto ditë plotësimi i kontestuar i 3 vendeve vakante të anëtarëve të kësaj Gjykate, që kriza institucionale dhe politike të thellohet aq shumë sa të harrohet rëndësia e ngritjes sa më parë të GJK. Fjala është për një përplasje të re të Presidentit Meta me Drejtësinë dhe rikthimin e rezolutave të Parlamentit që bëjnë “nul” dekretet e Presidentit Meta për shkelje kushtetuese.

Parlamenti miratoi, në një seancë të jashtëzakonshme të premten, (15.11.2019) një rezolutë që bëri të pavlefshëm dekretimin e Marsida Xhaferllarit, anëtare e GJK nga Presidenti Meta. Sipas rezolutës “emërimi i saj është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.”

Të parën apo të fundit në listë?

Çfarë nuk është në rregull për maxhorancën socialiste me Marsida Xhaferllarin? Ajo rezulton të jetë e fundit në një listë prej 4 kandidatesh, që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ( KED) i vuri në dispozicion Presidentit Meta si edhe me rekorde korrupsioni.

Kushtetuta parashikon që 3 anëtarë të GJK i dekreton Presidenti, 3 i zgjedh Parlamenti dhe 3 vijnë nga Gjykata e Lartë, gjithmonë nga kandidatë që i selekton KED. Nga lista prej 4 kandidatësh Presidenti duhet të zgjidhte vetëm një, të parën në listë, me vlerësimin më të lartë, Arta Vorpsin. Por Meta nuk e dekretoi atë deri në skadimin e afatit kohor të parashikuar në Kushtetutë. Pas mosdekretimit të saj nga Meta, Arta Vorpsi, u emërua automatikisht nga Parlamenti, anëtare e Gjykatës së Lartë, në zbatim të ligjit përkatës si e para në listë. Por të premten Gjykata Kushtetuese në një njoftim zyrtar nuk e konsideroi Arta Vorpsin anëtare, ngaqë Presidenti Meta nuk e thirri për të bërë betimin si thirri Marsida Xhaferllarin dhe dy anëtare të tjera të zgjedhura nga Parlamenti.

Presidenti Meta e quajti të premnten qeverinë dhe maxhorancën socialiste një “bandë uzurpatore që do të kapë Gjykatën Kushtetuese dhe gjithë sistemin e drejtësisë”. Meta paralajmëroi maxhorancën socialiste dhe qeverinë Rama, se ”përpjekjet e tyre për të dhunuar kushtetutën do të dështojnë”, se “mund të shpërndajë Parlamentin me një dekret presidencial”, “të rrëzojë qeverinë Rama me një mocion mosbesimi”, dhe se “atë vetë mund ta shkarkojë vetëm Gjykata Kushtetuese”./DW