Safije Pajaziti, 90 vjeçarja që nuk posedon dokumente identifikimi

Shpërndaje

90 vjeçarja nga fshati Brezë, Safije Pajaziti nuk ka asnjë dokument tjetër, përveç certifikatës së martesës. E gjithë ngatërresa zanafillën e ka në vitin 1947. Kur ajo ishte martuar, ishte vetëm 16 vjeçare ndërsa prindërit kanë dashur t’i rrisin moshën. Si vit të lindjes kanë vendosur 1928-tën, por nuk e kishin menduar se në të njëjtin vit kishte lindur edhe vëllai i saj, me të cilin ajo tashmë rezulton se ka vetëm 7 ditë diferencë. Ajo nuk mban mend nëse ka pasur ndonjëherë dokumente identifikimi, andaj nuk e di se si ka mundur të vejë kurorë pa dokumente të tilla.

“Më kanë martuar, s’ më kanë rregulluar asnjë dokument. Edhe unë isha e re, nuk kam kërkuar asnjë dokument. I kam pasur 16 vjet e tre muaj, dhe kane thënë hajt të ja shtojmë vitet. Kur mi kanë shtuar vitet kemi dalë 7 ditë diferencë me vëllain tim”, u shpreh Safije Pajaziti, 89 vjeçe.

Dokumentet e identifikimit i do vetëm për një qëllim, që të marrë një librezë shëndetësore dhe në rast se sëmuret të mund të kryejë kontrollet në spital shtetëror.

“Në doktor kam shkuar, por nuk më kanë pranuar. Më thoshin pa dokument nuk guxojmë. Edhe prapë në shtëpi. Unë jam dukë kërkuar nga shteti të më rregullojë dokumentet, që të paktën një librezë shëndetësore të kem, që të mund të shkoj në doktor. Sepse unë dita e ditës jam më e dobët, e nëse shtrohem në spital unë nuk e paguaj dot edhe shtëpinë me e shit”, tha Safije Pajaziti, 89 vjeçe.

Afet Pajaziti, djali i saj, thotë se për herë të fundit certifikatën e martesës të nënës së tij e ka marrë në vitin 2004, por thotë se ajo nuk ka certifikatë të lindjes. Dy herë ka dërguar kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, por prej atje janë përgjigjur negativisht. Në vendimet e këtij dikasteri si arsyetim qëndronte se nuk e vërtetonin dot se Safija ka lindur në vitin 1928.

“Nëpër certifikatat e të gjithë fëmijëve, 7 fëmijë jemi, ekziston emri i nënës, i babës. Kemi kërkuar krejt, thonë se nuk ekziston në Librin Amë. Kemi tentuar pak, por edhe ata s’kanë kontrolluar shumë. Mund të jetë ndoshta diku në arkivë, por nëse nuk i kontrollon vet, ato nuk e kanë shumë atë gajle. Kur ka qenë e sëmurë e kam dërguar nëpër spitale dhe e kanë kthyer, për shkak se s’ka pasur kush ti japë udhëzim, sepse pa dokumente, nuk ekziston askund dhe më kanë kthyer mbrapsht, e ka duruar dhimbjen”, deklaroi Afet Pajaziti – djali i Safijes.

Drejtori i Drejtorisë së librave amë, Bujar Dardhishta, tha se kanë gjetur dosjen e Safijes, por aty janë vetëm tre dokumente, certifikata e martesës, vendimi negativ i Ministrisë së Brendshme dhe kërkesa për regjistrim përmes iniciativës që mori pak kohë më parë Ministria për Punë dhe Politikë Sociale. Megjithatë kjo iniciativë ka mbetur pezull tashmë disa kohë./ALSAT/