Sot në Tetovë zgjidhet i pari i rinisë së Aleancës / Dy kandidatë për kryetar të FRASH

Shpërndaje

Sot, e Diel, në Tetovë, Aleanca për Shqiptarët do të mbajë Konferencën e parë të Forumit Rinor. Me moton “Kthehu” ka filluar përzgjedhja e strukturave të FRASH-it, duke ua dërguar mesazh të rinjve që kane ikur nga vendi, për tu kthyer e bashkë ta sjellin ndryshimin, sqarojnë organizatorët.

Siç mëson in7, në garë për të parin e FRASH-it, janë dy kandidatë. Njëri nga Shkupi e tjetri nga Kumanova.

Dardan Hyseni nga Çairi i Shkupit, i diplomuar për Shkenca Politike në Universitetin e Evropës Juglindore është kandidat për të drejtuar të rinjtë e Aleancës për Shqiptarët.

“Nuk ka rëndësi kush fiton. Me rëndësi është procesi nëpër të cilën kalon kjo përzgjedhje. Si subjekt politik gjithmonë kemi folur dhe kemi qënë idhtarë të demokracisë brenda për brenda subjekteve politike. Jam që në fillimet e para aktivist i Aleancës, fillimisht si Lëvizje për Reforma. Nesër shkojmë në Tetovë për festë e jo për garë. Delegatët vendosin se kush duhet ta drejtojë Forumin Rinor, por pa marrë parasysh rezultatin, qëllimi është më i fortë se gjithçka. Të gjithë duam ndryshimin” – thotë për in7, kandidati për kryetar të FRASH-it, Dardan Hyseni.

Nga ana tjetër kemi kandidatin, Omer Ajdini nga fshati Nikushtak në Komunën e Likovës. Edhe Ajdini ka studiuar dhe magjistruar në Shkenca Politike, ndërsa të njëjtat i ka përfunduar në Malajzi.

“U dakorduam qe nesër, në Konferencën e Rinisë, të garojmë me platformat tona kushdo që ka deshirë t’i prijë rinisë së Aleancës për Shqiptarët dhe e mira është se veçmë ka më shume se një kandidat që do të garojë. Pra nuk do të ketë emërim, konsensus apo kompromis me demokracinë, por garë, përballje idesh dhe proces demokratik” – ka shkruar në rrjetet sociale Omer Ajdini, kandidat për kryetar të FRASH-it.

Konferenca do të zhvillohet sot (e Diel), në Pallatin e Kulturës në Tetovë, prej orës 12:00.