Ziadin Sela në ofensivë diplomatike, takime të shumta me ambasadorët e vendeve të BE-së

Shpërndaje

Lideri i Aleancës për Shqiptarët ditëve të fundit po zhvillon takime të njëpasnjëshme me ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së si Franca, Holanda, Danimarka, Italia.

Këto ishin vendet anëtare të BE-së që kanë pasur rezerva për sa i takon marrjes së datës për hapje të bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.

Në të gjitha këto takime shumë të rëndësishme Sela ka kërkuar mbështetje më të madhe nga vendet anëtare me qëllim që vendi sa më shpejt të fitojë datën për hapje të bisedimeve sepse këtë e meritojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Sela ka siguruar ambasadorët në fjalë se Aleanca është një aleat shumë serioz dhe partner që po angazhohet shumë seriozisht duke ndërmarrë aksione konkrete politike për t’i bërë presion pushtetit aktual që të fillojë me reforma rrënjësore sidomos në drejtësi që është njëra nga hallkat më të dobëta, në organet e sigurisë, administratë, respektimi i të drejtave njerëzore e të tjera. Por, si shqetësim kryesor mbetet mosgatishmëria dhe mungesa e vullnetit politik nga ana e pushtetit aktual në implementimin dhe zbatimin e ligjeve për të bërë funksional sistemin.
Nga takimet me ambasadorët, Sela ka marrë mbështetje dhe mirënjohje për kontributin e Aleancës në rrugën drejt anëtarësimit në BE sidomos me mbështetjen ndaj marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimeve kushtetuese.

Sela gjithnjë e më shumë po shihet si një faktor shumë i rëndësishëm në politikbërjen në Maqedoninë e Veriut dhe si një partner serioz në rrugën euro-integruese të vendit.