Ahmeti edhe katër vjet në krye të BDIsë

Shpërndaje

Në Kongresin e IV zgjedhor të BDI-së që u mbajt sot në Shkup, delegatët në mënyrë unanime zgjodhën që Ali Ahmeti të rizgjidhet kryetar edhe për katër vitet e ardhshme.

Ahmeti gjatë fjalimit pasi u rizgjodh kryetar i përgëzoi ekipet që punuan në përgatitjen e këtij kongresi si dhe në mbarëvajtjen e punimeve brenda Bashkimit Demokratik për Integrim për zgjedhjen e këshillave vendorë.

“Do të vazhdoj t’ju përfaqësoj me dinjitet, sepse nuk kam bërë më shumë se një përfaqësim të dinjitetit, të përfaqësimit të forcës dhe gëzimit tuaj. Unë kam qenë vetëm një përfaqësues i këtyre vlerave të cilat ju i keni trashëguar edhe nga brezat e mëparshme. Ky kongres dhe ky përfaqësim është përfaqësim i fisnikërisë, i thesarit kombëtar shqiptar në hapësirat e veta këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se pas vitit 2001 shqiptarët u bënë të zot në shpi të vet sepse, siç tha, shqiptarët këtu i deshën qiraxhinj por jo edhe zot shtëpie.

“Vëllezër e motra sa shumë sakrifikuan e derdhën gjak për flamur sot ai është i lirë. Shqiptarët u vranë e u sakatuan për gjuhë, sot kemi tre universitete dy shtetërore dhe një privato-publik, sot shqiptarët kanë polici, ushtri, të përfaqësuar me dinjitet nga bijtë e bijat tanë… Sigurisht se është dashur punë dhe angazhim, përpjekje e vazhdueshme pasi kemi pasur edhe skeptikë të cilët mendonin se këto të arritura që bazën e kishin te Marrëveshja Paqësore e Ohrit nuk do të arrihen kurrë, por ja që po e dëshmojmë të kundërtën.

Asnjëherë nuk kemi punuar me standarde të dyfishta, kemi qenë transparent dhe dalë-zotës” tha Ahmeti gjatë fjalimit të tij.

Më 12 prill, shtoi ai, do ta kemi edhe sprovën e parë, ku BDI do ta vulosë edhe fitoren e radhës.

“Siç e kemi dëshmuar për 18 vite edhe kjo që vjen më 12 prill do të jetë fitorja e radhës e partisë, si subjekt dhe lëvizje që ka ditë të mbajë balancet politike. Më 12 prill do të fitojnë qytetarët e RMV-së, sepse kemi ditur të balancojmë dhe të përballemi me vështirësitë më të mëdha. Ky kongres vulos fitoren e radhës, fitoren nga më të rëndësishmet të BDI-së”, potencoi lideri i BDI-së.

Kongresi i IV i partisë filloi me prezentimin e rezolutave siç janë Integrimi konsensual, vetingu, punësimi dhe zhvillimi, jetesa cilësore, rinia në vend, të cilat u miratuan njëzëri nga delegatët e Kongresit.

Gjithashtu gjatë Kongresit, Valdet Xhaferi prezentoi propozim ndryshimin e statutit të BDI-së, si dhe e prezentoi edhe organin e ri i cili është Kongresi i vazhdimësisë i cili përbëhet nga 1/3 e delegatëve.

Në kongres morën pjesë personalitete eminente nga vendi dhe jashtë.