Albin Kurti zbulon gjithçka rreth negociatave me Isa Mustafën (VIDEO)

Shpërndaje

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka njoftuar se kanë dështuar negociatat me partinë e Isa Mustafës për koalicionin, e që nesër në Kuvend të Kosovës dy partitë do të shkojnë pa arritur marrëveshje.

Përmes një video, Kurti ka thënë se mbrëmë e ka bërë edhe një ofertë të fundit për LDK’në.

Në këtë ofertë thuhet se VV’së, pasi që si parti e parë i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, e LDK’së nënkryetari i dytë, dy partitë le të bëjnë rokadën midis këtyre posteve.

“Kryeparlamentarin e merr LDK ndërkaq Nënkryetarin e Dytë VETËVENDOSJE!. Kësisoj, LDK e ka Kryeparlamentarin kurse VETËVENDOSJE! dy nënkryetarë të Kuvendit”, bëjnë të ditur nga VV-ja.

Gjithashtu, Kurti ka kërkuar që çështja e presidentit të lihet për më vonë. Mirëpo, nëse këta insistojnë në këtë post, të ju shtohet një ministri e ajo të jetë MPB-ja.

“Çështjen e Presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo, nëse LDK insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: MPB, e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-së për kandidatin për President, bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij/saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i Vetëvendosje!”, ka bërë të ditur Kurti.

Lideri i VV’së ka folur edhe për kërkesën e LDK’së për ndarjen e MKRS-së.

“Sipas kërkesës së LDK, MKRS ndahet, me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërkaq, Sporti i kalon Ministrisë së Shëndetësisë. Pakicat joserbe e marrin Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose të Pushtetit Lokal, kurse pakica serbe Ministrinë për Komunitete”, ka thënë ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, pas pak minutash pritet të dalë me qëndrimin përfundimtar të partisë së tij rreth koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar edhe deputeti i zgjedhur Glauk Konjufca, pas takimit të Kurtit me deputetët e zgjedhur të partisë së tij.