Çeliku: Kohë qorre, por lufta për komb dhe atdhe do të vazhdojë

Shpërndaje

Shkruan: Prof. Arbër Çeliku

Rinia më ankohet për diferencim në vazhdimësi dhe mezi presin liberalizimin e Ligjit të punës nga ana e Gjermanisë këtë janar, për të mos u kthyer kurrë më;

Luftëtarët e lirisë janë të futur në harresë, bukën e nxjerrin kush duke pre dru në mal, kush duke shitur në “Kvantashki Pazar”, disa të tjerë derxhen të sëmurë në shtrat pa asnjë përkrahje institucionale dhe disa të tjerë vajtojnë shokët e humbur në luftë dhe ata që janë të burgosur pa faj, duke pritur me padurim ditën e hakmarrjes;

Pensionerët e lusin Zotin që të mos ua marrë shpirtin, pa i pa varrmihësit e shqiptarizmit të thyejnë qafën njëherë e përgjithmonë nga skena politike;

Kolegët e mi intelektualë o rrinë strukur te vrima e miut, o janë bërë marioneta të partive politike, duke mos dashur ta prishin rehatinë e vet dhe të familjeve të tyre. Ata thjeshtë jetojnë me moton: “Përderisa mua më shkon mirë, të tjerët në djall i pafsha!”;

Partitë opozitare, të prira nga egoizmi dhe bajraktarizmi, kanë humbur rrugën në oborr dhe presin për ndonjë MREKULLI, që s’ka për të ardhur kurrë;

Mua s’më mbetet asgjë tjetër pos ta ngre zërin, siç e kam bërë për 20 vjet: në të mirë të rinisë, luftëtarëve të lirisë, partive politike në pushtet dhe në opozitë, kombit, atdheut…