Deri më tani arrestohen tetë persona në Tetovë, dyshohet se dëmtuan buxhetin e shtetit për 860 mijë euro

Shpërndaje

Gjithsej tetë persona janë vënë nën hetime nga Prokuroria Publike, ndërsa pesë prej tyre tanimë janë arrestuar gjatë një aksioni policor, nën dyshimin për keqpërdorimet e bëra për privatizime. Aksioni është realizuar sot në mëngjes me urdhër të Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion, kurse në kërkim është edhe anëtari i Këshillit gjyqësor, Zoran Teofilovski.

Villma Ruskovska: Është e saktë se gjatë ditës së sotme janë arrestuar pesë persona nga komuna e Tetovës, kurse një person policia ende nuk mundet ta gjejë. Bëhet fjalë për legalizim dhe privatizim antiligjor të një toke atraktive”.

Nga Prokuroria njoftuan zyrtarisht se gjatë fundit të muajit gusht të vitit 2011, i dyshuari i parë atëkohë person përgjegjës kryetar i Shoqatës sportive nga Tetova, në mënyrë joligjore ka filluar procedurë për legalizim. Kërkesës për konstatim të statutit juridik për objekt që nuk ekziston, deri te Komuna e Tetovës ka deponuar edhe deklaratë të vërtetuar në notar me të cilën rrejshëm ka deklaruar se bëhet fjalë për objekt të ndërtuar në vitin 1995, elaborate gjeodezik i përpiluar nga i dyshuari i dytë në të cilin është paraqitur objekti joekzistues me sipërfaqe prej 122 metër katror.

Më pas po ashtu në mënyrë joligjore zyrtarë të tjerë të dyshuar në këtë rast kanë vijuar procedurën deri në aktin e vendimit për konstatimin e statusit juridik për objektin e ndërtuar në mënyrë joligjore.

Ende pa përfunduar procedura për legalizimin e objektit, drejtuesi i Shoqatës për aktivitete sportive i cili rezulton si I dyshuari i gjashtë në raportin e Prokurorisë, ka dorëzuar kërkesë për blerjen e tokës ndërtimore në pronësi të shtetit. Pas realizimit të procedurave paraprake, i dyshuari i tetë, në vend që ta refuzojë për shkak të mospërmbushjes së kushteve ligjore për privatizim të tokës ndërtimore në pronësi të shtetit, pa certifikatë të planit urbanistik dhe pa Plan detal urbanistik të miratuar, ka përpiluar vendim për privatizim të tokës ndërtimore.

Prokuroria: Në këtë mënyrë të dyshuarit kanë mundësuar që subjekti juridik të fitojë të drejtën e pronësisë mbi tokën ndërtimore me sipërfaqe prej 4410 metër katror duke e blerë atë me një çmim prej 43 denarë për metër katror apo në vlerë totale prej 188.307 denarë dhe bërë dëm të mjeteve buxhetore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vlerë prej 52.920.000 denarë”.

Prokurori kompetent që vepron në këtë lëndë, gjatë ditës do ti dorëzojë gjykatësit të procedurës paraprake në gjykatën themelore penale, propozim për caktimin e masës së paraburgimit për gjashtë të dyshuarit dhe masën e kujdesit për dy personat e tjerë./SHENJA/

Më poshtë ju sjellim emrat e personave të arrestuar deri më tani:

1. Zoran Teofilovski (61) – ish kryetar i shoqatës së tenisit “Luboten” në Tetovë. – në kërkim.

2. Xh.A. (43) – Këshilltar për planifikim urbanisitik dhe hapsinor në Komunën e Tetovës.

3. I.K. (47) – ish i punësuar në Komunën e Tetovës si udhëheqës i Sektorit teknik sipas nevojës në Ndërmarrjen Publike “Geoinzhinjering”

4. K. I (44) – ish i punësuar në Komunën e Tetovës si referent i pavarur për punë juridike sipas nevojës.

5. J.J (68) – ish e punësuar në Komunën e Tetovës si Këshilltare për Procedurë juridike e shkallës së parë në Sektorin për procedurë juridike të shkallës së parë.

6. I. R (68) – referent i pavarur – gjeodet në Drejtorinë për çështje juridike dhe pronësore – Sektori për procedurë udhëheqëse në Komunën e Tetovës

7. C. N (53) – Pronar dhe udhëheqës i klubit të tenisit “Luboten”.

8. A. N (56) pronar dhe drejtues i ndërmarrjes për gjeodezi “Gjeopolog”.