Edhe Maqedonia e Veriut bojkoton ceremoninë për çmimin Nobel

Shpërndaje

Ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli ka falënderuar homologun e tij nga Maqedonia e Veriut Nikolla Dimitrov, për bojkotimin e ceremonisë së ndarjes së çmimit Nobel për Peter Handke, i cili ka qenë përkrahës i Sllobodan Millosheviçit.

Këtë Pacolli e ka bërë nëpërmjet Twitterit. “Faleminderit Nikola Dimitrov për bojkotimin e ceremonisë për ndarje të çmimeve Nobel. Maqedonia ka qëndruar me ne në kohërat më të vështira, gjatë viteve ’98-99, kur Milloshevici kreu krime në Kosovë.

Handke nuk ka përkrahur vik*timat si Maqedonia e Veriut, por ka përkrahur Millosheviçin”, ka shkruar Pacolli në platformën sociale.

Para Maqedonisë së Veriut, Shqipëria, Turqia, Kroacia dhe Afganistani njoftuan se nuk do t’i përgjigjen ftesës së Mbretit të Suedisë për pjesëmarrje në ceremoninë e Nobelit. Arsyeja e bojkotimit të këtij eventi, për të gjitha këto shtete ka qenë një e vetme: dhënia e çmimit Nobel për shkrimtarin Handke, i cili ka përkrahur politikat e “Kasapit të Ballkanit“ gjatë viteve 90-të.