Glauk Konjufca: LDK e kishte të qartë që VV nuk do e bllokojë Kuvendin

Shpërndaje

Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është deklaruar lidhur me propozimin dhe zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, Konjufca tha se Isa Mustafa kishte qenë i paralajmëruar për një skenar të tillë.

“Unë mendoj që të gjithë ata që janë befasuar me veprimin e Vetëvendosjes, ata e paskan pritur bllokimin e institucioneve të Kosovës – gjë që nuk do të ishte aspak e këndshme për qytetarët dhe popullin e Kosovës”.

“Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka njoftuar Isa Mustafën në takimin e 24 dhjetorit që nëse nuk arrijmë marrëveshjen deri më 25 dhjetor, atëherë do të detyrohemi të procedojmë sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Ai e ka paralajmëruar Mustafën se nëse vjen puna dhe ju nuk e pranonin njërën prej zgjidhjeve për qeverisjen e ardhshme dhe prisni që me mospropozim ta bllokojmë jetën e qytetarëve, atëherë kjo nuk do të ndodhë”.

Konjufca tha se LDK nuk ishte në dijeni vetëm për emrin që do të propozohej për Kryetar të Kuvendit.

“Mund të mos ketë qenë i informuar për emrin tim, por Mustafa le të themi po mendon dhe po reflekton në mënyrë krejtësisht të papritur nëse shprehet kështu, për shkak që ai e ka ditur fare mirë që nëse nuk arrihet marrëveshja 24 orë përpara mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës, Vetëvendosje nuk do të jetë bllokuese e saj. Kjo i bie që VV detyrohet me e paraqit Kryetarin e Kuvendit dhe me u mbledh kryesia e në këtë mënyrë konstituohet Kuvendi”.

Sipas Konjufcës problemi kryesor në negociatat e VV-së me LDK-në ishte posti i presidentit, që sipas tij kjo e fundit “nuk lëshonte pe”.

Sa i përket postit të ri, ai tha se nuk ishte befasi dhe se është një rend i natyrshëm i gjërave.