KUR POLITIKA E LUAN ROLIN E NAIVIT

Shpërndaje

Me shkas: (“Aleanca, Besa dhe Alternativa: Shqipja të rregullohet me kushtetutë”)

Shkruan; Abdulla Mehmeti

Gjendja e shqiptarëve në Maqedoni do të jetë edhe më tej e rëndë, deri në sigurimin e një zgjidhje tjetër, sepse partitë shqiptare në pushtet dhe partitë e opozitës shqiptare ende nuk e dinë (nuk janë të vetëdijshme) rolin e tyre në skenën politike, por aktrojnë opinionistin për shfajësimin e tyre.

Është tepër e papërgjegjshme dhe skandaloze kur ekipet (partitë) pjesëmarrëse në fushën e lojës, në vend të kryerjes së detyrave konkrete që u takojnë në institucionet e larta të pushtetit, në Parlament dhe Qeveri, me deklaratat e tyre për opinionin e marrin rolin e publikut, i cili është jashtë fushës së lojës, që nga tribunat mund ta vlerësojë lojën e tyre në fushë (skenën politike).

Jo më larg se në fillim të këtij viti kanë qenë në diskutim ndryshimet kushtetuese në Parlament, ku edhe përfaqësuesit e këtyre partive kanë qenë pjesë e debatit dhe të vendimmarrjes, të cilat sot alarmojnë në kërkim të fajtorëve, me votën e të cilëve është rikonfirmuar statusi juridik-kushtetues i pakicës kombëtare për shqiptarët dhe statusi i gjuhës shqipe si gjuhë pakice kombëtare, si në vitin 1991 dhe 2001, madje më keq se kjo, si gjuhë pa emër, të cilën e flasin 20% e qytetarëve të këtij shteti.

Përfaqësuesit e këtyre partive politike të shqiptarëve, të pozitës dhe opozitës, nuk duhet ta luajnë të pafajshmin në këtë mes, përderisa qytetarët ua kanë dhënë mandatin atyre që t’u prijnë proceseve politike, jo të aktrojnë naivin në këtë mes, sikur ata nuk kanë qenë pjesë e lojës politike në dëm të interesave kombëtare të popullit shqiptar në këtë shtet!

Kështu do të jetë edhe gjatë kohë, përderisa politikanët tolerohen ta luajnë rolin e naivit, ndërsa qytetarët (votuesit e tyre) t’i konsiderojnë për të marrë!

Uroj që drejtuesit e këtyre partive të reflektojnë në të ardhmen, jo ta vazhdojnë edhe më tej këtë lojë papërgjegjësie, në të cilën fajtorët përherë do të janë në kërkim!