Kurti tregon se kur pret që të arrihet marrëveshja për koalicion qeverisës me LDK-në

Shpërndaje

Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka folur sërish për bashkëpunimin e mundshëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për formimin e qeverisë së re, shkruan Insajderi.

Kurti në mbledhjen e Këshillit të partisë, ka thënë se gjatë muajit janar do të përpiqen që të arrijnë marrëveshje me LDK-në. Mes tjerash, ai ka theksuar se LDK po këmbëngul në kërkesa përtej rezultatit nga votat e qytetarëve.

“Fitorja jonë është mundësia për të bërë ndryshmin që kemi kërkuar e ky ndryshim duhet të bëhet duke formuar Qeverinë e re. Në janar kemi përpjekjen për arritjen e një koalicioni qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës . Ajo që në shikim të parë dukej lehtë e arritshme ndodhi të jetë e mundshme. 80 ditë nuk mjaftuan për të arritur marrëveshjen që kërkohej pasi këmbëngulej në kërkesa përtej rezultatit nga vota e qytetarit”, është shprehur Kurti.

Edhe njëherë, Kurti ka potencuar se oferta e VV-së karshi LDK-së ishte një oferte gjeneroze.

“Ne kemi marrë një mandat dhe një mesazh të qartë nga qytetarët me datën 6 tetor. Mesazhi ishte që opozita e djeshme duhet të bëhej qeveria e ardhshme, duke e veshur Lëvizjen Vetëvendosje e mua si kryeministër me barrën e arritjes së marrëveshjes, p0r qytetarët dërguan edhe një mesazh të kompromisit, bashkëpunimit e të punës së përbashkët”, tha ai.

“Ne si Lëvizje jemi munduar që të reflektojmë me këtë mesazh të qytetarëve, kemi dhënë gjysmën e programit dhe gjysmën e qeverisë për partnerin qeverisës dhe poashtu kemi ofruar njërin nga dy postet, të cilët qytetarët na kanë dhënë me 6 tetor – pra ofruam edhe postin e Kryetarit të Parlamentit, si një kompromis për ta arritur marrëveshjen, por edhe për të ndarë e balancuar pushtetin. Oferta jonë gjeneroze u refuzua në pasditen e 24 dhjetorit”, ka thënë i pari i Vetëvendosje, duke shtuar se pret që pas konstituimit të Kuvendit së bashku me LDK të fokusohen në bërjen e koalicionit qeverisës, dhe sipas tij të jetësojnë rezultatin e 6 tetorit.