Ndryshimin dhe ridefinimin e shtetit nuk mund ta bëjnë politikanët vasalë të pushtetit

Shpërndaje

Nga, Abdulla Mehmeti

Përveç ambicieve për pushtet pa kushte, të koalicionimit me partitë maqedonase dhe marrëveshjeve të fshehta mes tyre në dëm të interesave të shqiptarëve në këtë shtet, partitë politike të shqiptarëve, a kanë ndonjë opsion më të mirë dhe më të dobishëm për të ardhmen e popullit shqiptar në këtë shtet? Kjo lojë politike dhe ky mashtrim përfundimisht nuk ka dhënë rezultate për tridhjetë vjet me radhë. Çka më tej, kjo është çështja për të cilën duhet të vendosin qytetarët shqiptarë në të ardhmen, jo të vendosen mes kudhrës e çekanit mes partive në pushtet dhe atyre në opozitë, të cilat përveç ndërrimit të vendeve mes tyre për asgjë tjetër shihet se nuk janë të interesuara. Kjo është dëshmuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, në zgjedhjet vendore, zgjedhjet presidenciale dhe me ndryshimet kushtetuese, në të cilat kanë marrë pjesë të gjitha këto parti, të cilat tani premtojnë NDRYSHIME, siç premtuan disa më parë RIDEFINIMIN e shtetit, për ta zëvendësuar mëpastaj me vasalitet ndaj pushtetit, për interesa personale dhe klanore!