Paradokset e botës shqiptare

Shpërndaje

RRËNIMI I KONCEPTIT TË SHTETIT NË EMËR TË HUMANIZMIT

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Përderisa shqiptarët kanë lejuar krijimin e shteteve-parti, eksperimenti i radhës është koncepti i shtetit-një person, anarkia dhe hiç shteti.

Përderisa ndër shqiptarët nuk funksionojnë siç duhet institucionet e shtetit, sidomos në sferën sociale, nuk kanë treguar rezultate afatgjata as shoqatat dhe fondacionet humanitare, iniciativat humanitare me një person nuk janë të rastësishme ndër shqiptarët.

Ata që kanë njohuri për konceptin e shtetit dhe organizimin e jetës shoqërore të një vendi, besoj ta kenë të qartë se çfarë domethënie dhe porosie ka ky fenomen, pavarësisht nga rezultatet e tij.

Nëse shteti, shoqëria e organizuar e një vendi, lejojnë që të ketë njerëz dhe familje të uritura, njerëz të pastrehë dhe pa kulm mbi krye, me shëndet të rrënuar dhe në rrezik të vazhdueshëm për jetën, cili është funksioni i shtetit përballë iniciativave individuale, apo grupore, përveç mesazhit që duhet të përçojnë për një popull të paaftë për ndërtimin e shtetit?!

E dini cila është porosia për shqiptarët, kur humanistët, Halil Kastrati dhe Elvis Naçi, mundin të ushqejnë dhe strehojnë qindra familje skamnore, ndërsa liderët me pushtet dhe institucione të shtetit në duart tyre dhe nën urdhrat e tyre nuk mundin t’i ngijnë as me bukë njerëzit (bashkëluftëtarët) që i kanë sjellë në pushtet?!

Kur të arrijnë shqiptarët në këtë gjendje, nuk është çudi që një ditë të kërkojnë vullnetarisht sundues të tyre dhe të shtetit nga jashtë.

Këtë përgjigje mund ta merrni më saktë në Beograd, Moskë, Teheran, Stamboll dhe Athinë, jo në BE dhe SHBA.

(29.XII.2019)