Përurohet njësiti i ri policor, “Alfat” shkojnë në histori

Shpërndaje

Në qendrën policore “Gjorçe Petrov” në ditën e fundit të vitit 2019 u promovua Njësiti për ndërhyrje policore, e cila zëvendëson njësitin “ALFA”, Njësiti për rend dhe qetësi publike dhe Njësiti për asistencë dhe ndalim. Ministri brendshëm Oliver Spasovski tha se në kuadër të reformave për rritjen e sigurisë dhe rendit publik, u bë ky riekipim që të ketë sa më tepër policë nëpër rrugë.

Me të vërtetë janë të përgatitur që pjesëtarët e Njësitit për ndërhyrje policore të përballen me çfarëdolloj sfide dhe rreziku për të ruajturi rendin. Presim që siguria në këtë pikëpamje të rritet, të kemi prani të shtuar të policëve me uniforma në territorin e Qytetit të Shkupit. Të jenë këtu, afër qytetarëve për të parandaluar çdo lloj të krimit eventual- deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Kryepolici Spasovski nuk deshi të flas me numra, duke thënë se janë informacione të klasifikuara.

Jo zyrtarisht, Alsat mëson se nga 130 pjesëtarë të këtij njësiti të ri, 30 janë shqiptarë. Atë që nuk e tha ministri, e shkroi në profilin e tij në Facebook zëvendësi i tij, Agim Nuhiu. Ai tha se për këtë njësi u kujdesën që shqiptarët të pozicionohen sipas parimit të përfaqësimit të drejtë.