Qeveria teknike, sot zhvillohet takimi mes Zaevit, Ahmetit dhe Mickoskit

Shpërndaje

Një javë para formimit të Qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut, kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski sot do të mbajë takime me kryeministrin dhe liderin e partisë qeveritare, LSDM, Zoran Zaev si dhe liderin e BDI-së Ali Ahmeti, njofton Portalb.mk.

Është paralajmëruar që Mickoski së pari do të mbajë takim me Ahmetin në Kuvend, ndërsa pastaj do të takohet me Zaevin në Qeveri.

Pas bordit ekzekutiv dhe qendror të LSDM-së, ku për kryeministër teknik u zgjodh ministri i deritanishëm i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ndërsa për zëvendëskryeministre në vendin e Koço Angjushevit u zgjodh Mila Carovska, Zaevi theksoi se në takimin e sotëm me Mickoskin do ta hap çështjen dhe ndryshimet e Kodit zgjedhor me vendosjen e një njësie zgjedhore.

“Për një njësi zgjedhore mund të vendosim deri më 12 shkurt përkatësisht deri 60 ditë para zgjedhjeve derisa punon parlamenti. Ne nuk tërhiqemi nga kjo çështje, ndërsa edhe kolegët e partive më të vogla politike, komunitetet më pak të shumta etnike janë pro dhe duan. Ai është edhe premtimi ynë zgjedhor. Duhet edhe partitë tjera politike, si VMRO-DPMNE dhe BDI të ulen, ndërsa unë nesër do ta hap edhe këtë çështje, përderisa edhe Mickoski dëshiron të bisedojë. Është bukur nëse për atë vendosim me konsensus. Nesër do ta shfrytëzoj takimin me njeriun e parë të partisë më të madhe opozitare, ndoshta do të gjejmë ndonjë zgjidhje”, tha mbrëmë Zaev.

Zaev dhe Mickoski në takim do të kenë konsultime për qeverinë teknike.

Sipas ligjit, opozita duhet të vjen në konsultime për propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe ai të pranohet nga pushteti (dy partitë më të mëdha).

Në takimin e liderëve te presidenti Pendarovski,u dakordua që më 12 prill të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas procedurës, 90 ditë para zgjedhjeve duhet të formohet qeveri teknike ose ajo të ndodh më 3 janar.