Shteti i Kosovës dhe nyja ruse e litarit në fytin e drejtuesve të partive politike

Shpërndaje

Ja mendimi im në lidhje me situatën në Kosovë pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019

SHTETI I KOSOVËS DHE NYJA RUSE E LITARIT NË FYTIN E DREJTUESVE TË PARTIVE POLITIKE

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Askush nuk është engjëll në këtë mes!

Ja edhe mendimi im në lidhje me situatën në Kosovë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, me pengesat gjatë numërimit të votave dhe certifikimin e zgjedhjeve, mos arritja e marrëveshjes mes partive fituese të zgjedhjeve për formimin e qeverisë, kushtëzimet dhe ndërkëmbëzat nga klanet proserbe dhe proruese, si dhe për shpresat e thyera të qytetarëve të Kosovës.

Nëse qytetarët e Kosovës kanë duruar dhe pritur dy dekada, të plaçiten, varfërohen e shpërngulen, të dhunohen politikisht dhe ekonomikisht, të tradhtohen dhe shiten si mos më keq për interesa të Serbisës dhe Rusisë, pse duhet të nguten vetëm për disa muaj, për pastrimin një herë e mirë të skenës politike në Kosovë?!

Lëvizja Vetëvendosje duhet të kërkojë guximshëm zgjedhje të reja.

– edhe përkundër insistimit të faktorit ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhje dosido;
– përkundër rrezikut se krerët (jo anëtarësia e gjerë) e LDK-së mund të insistojë në koalicione me parti të tjera për formimin e qeverisë;
-edhe përkundër kostos së shtrenjtë për zgjedhjet e reja parlamentare;

Për disa arsye më madhore, Lëvizja Vetëvendosje duhet të kërkojë zgjedhje të reja, edhe atë:

1. Për heqjen e dilemës mes qytetarëve se nuk ka shpëtim nga klanet kriminale të politikës në Kosovë;

2. Për pastrimin me të kaluarën komuniste e kandidatëve që i imponohen nga partnerët e saj për koalicion qeverisës, që një kohë të gjatë e kanë ngulfatur jetën politike dhe institucionet e shtetit të Kosovës;

3. Që Lëvizja Vetëvendosje t’i pastrojë edhe radhët e veta nga kandidatët e imponuar për shkaqe të ndryshme, siç i ka pasur në Listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit, të cilët nuk morën besimin e qytetarëve (votuesve) në zgjedhjet e kaluara, sidomos nga provinienca ideologjike marksiste-leniniste dhe predikuesit e neotomanizmit në trojet shqiptare;

4. Që Lëvizja Vetëvendosje ta dëshmojë edhe njëherë se vërtet është lëvizje politike progresive dhe atdhetare dhe nuk bën kompromise me interesat e popullit, për interesa pushteti dhe të klaneve partiake, për interesa të tjera individuale, grupore dhe klanore.

Drejtuesit e Vetëvendosjes duhet të vendosin guximshëm dhe pa luhatje, që vetë ajo si lëvizje politike, Kosova dhe qytetarët e saj, të fitojnë më shumë në zgjedhjet e reja, me këtë edhe qeverisje dhe pushtet që e meritojnë.