Takim gjeneratash në dritën e një rikonstitucionalizmi të çështjes shqiptare në RMV

Shpërndaje

28 dhjetori për mua ishte një ditë e veçantë, ngaqë disa nga kolegët e studimeve Antigona Spahiu, Mahir Osmani, Agron Shaqiri dhe të tjerë, gjenerata e parë dhe e dytë e Universitetit të Tetovës, pas 20 vjetësh, kishin organizuar një mbrëmje festive, me synimin e ritakimit të studentëve të këtyre dy gjeneratave dhe profesorëve të parë.

Unë, edhe pse tashmë për një kohë të gjatë, i tërhequr nga jeta publike, iu përgjigja me gjithë dëshirë ftesës dhe, së bashku me gruan, shkuam në sallën e paraparë të Hotelit NB, të sapo hapur në Tetovë. Qysh në hyrje, u ndie atmosfera e ngrohtë dhe miqësore. Fytyra gazmore dhe gjithë elan, takova edhe dy kolegët e gjermanistikës, Abdylxhemil Saitin nga Radusha dhe Qemuran Nuhiun nga Kumanova si dhe profesorin tonë Sejdi Demirin. Rikujtuam gjithë mall kohën e studimeve, çastet e lumtura dhe të hidhura, sfidat me të cilat u përballëm gjatë fillesave të pluralizmit, fukarallëkun e skajshëm, por që për asnjë çast nuk u dekurajuam, edhe pse secili prej nesh merrej për çdo muaj një herë në pyetje informative nga ana e policisë së shtetit. Teksa shpalosnim kujtimet së bashku, sekuencat filmike u intensifikuan edhe më shumë në kokën time: Teksa forcat maqedonase gjuanin nga Çarshia e Epërme me artileri të rëndë pandërprerë drejt kalasë së Tetovës, mua m’u desh të kaloja pranë tyre, që të mbaja provimet. Njëri më ndaloi dhe më pyeti se ku shkoja, i tregova, ma hapi çantën m’i mori fletëparaqitjet dhe mi grisi para syve: “Universiteti juaj është kot. Mos humbisni kohën. Ju përveç bujqësisë dhe tullumbave nuk dini të bëni gjë tjetër. Ik tani sa nuk ta kam futur një plu*mb në kokë!” Kolegu Abdilxhemili, sikur ishte duke m’i deshifruar kujtimet: “Aq entuziazëm kishim për dije, sa nuk na ndali as furtuna, as dhuna, as shteti dhe as luf*ta. Për njohjen e diplomave as që kishim shpresë, por ja që Zoti ishte në anën tonë”.

U ulëm në tavolinë me Antigonën, Mahirin dhe Agronin. E ndjeva në çast revoltën e tyre ndaj bajraktarizmit tonë të zakonshëm, i cili e kishte përshkuar ato ditë mbarë opinionin tonë publik, rra*hjen e gjoksit se kush ishte më meritori për themelimin e Universitetit, duke dashur të hynte secili tinëzisht në histori dhe të mbeste pameritueshëm aty. “Po të mos ishim ne, studentët e parë, a do të bëhej Universiteti?!”, thanë si në kor ata. “Pse gjithmonë tentojnë t’i marrin kreditë mbi vete?!” “Askujt nuk iu kujtua kurrë për ne. Ngritën statujën e Profesor Fadil Sulejmanit, nuk na ftuan”. Jo se nuk kishin të drejtë në të gjithë ato pyetje dhe konstatime, por, duke e njohur mentalitetin tonë, me prirje të tmerrëshme përvetësimi të meritave të të tjerëve, ndërhyra me shembullin e diatezës pësore, pasi që shumica ishim gjuhëtarë: “Pësorja këtë të bukur e ka, që vepruesin nuk e përmend fare, në fokus të saj është rezultati. Kryesorja ne u bëmë me Universitet. Kjo s’duhet më të na preokupojë, por si t’u rezistojmë sfidave të së ardhmes, migrimit masiv të të rinjve, i cili do të na i zbrazë shkollat dhe universitetet”. Kështu dalëngadalë rrëshqitëm në politikë, duke ngritur shumë çështje jetike për ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Në fund u dakorduam që, jo vetëm me fjalë, por edhe me aktivizëm të angazhohemi në ndryshimin e rrethanave të shpërfytyrara shoqërore-politike. E gjitha kjo shoqëruar me zërin e mrekullueshëm dhe përzgjedhjen e këngëve të pastra shqipe të këngëtares Laura Kërliu.