Thaçi i kërkon Ramës ta heq taksën rrugore dhe kufirin Kosovë-Shqipëri

Shpërndaje

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se Republika e Kosovës është e gatshme të nënshkruaj marrëveshje bilaterale në iniciativa rajonale kurdo që këto shtete e trajtojnë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran.

Ai në konferencën e fundvitit me gazetarë i bëri ftesë Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama që ta heq kufirin Kosovë-Shqipëri.

“Konfirmoj në emër të institucioneve të Kosovës, Kosova qysh sot është e gatshme të heq kufirin dhe doganën dhe çdo barrierë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Do të ishte mrekulli që të hymë me vendimin për heqjen e kufirit dhe doganë, e ftoj mikun tim Edi Rama të heq kufirin, nuk duhet të presim vendimin e Serbisë kur e dimë që diçka e tillë nuk do të duartrokitet, apo kërcënimet boshe që do të vinë nga Bashkimi Evropian, nuk kemi nevojë të bëjmë politikë shtetesh dhe të kërkojmë me politikë absurde tradhtar andej e këndej kufirit”, tha Thaçi.

Ai e ka ftuar Ramën që ta caktoj datën për heqjen e kufirit.

“Unë e vlerësoj vendimin e z. Rama për heqjen e çdo barriere, e ftoj z. Rama të caktoj ditën dhe datën për heqjen e kufirit pa pyetur shtetet fqinje pasi jemi vende të pavarura dhe sovrane, kufiri në mes të Kosovës dhe Serbisë është në mendare dhe jo në Vërmicë, nuk do ta lejojmë të përzihet. Nuk është e mjaftueshme lëvizja e qytetarëve të Kosovës me letërnjoftime, Serbia do të jetë e përgjegjshme kur e njeh pasaportën, kufiri i Kosovës është në Merdare”.

“E vlerësoj Edi Ramën mikun tim të zgjedhur për paqen dhe stabilitetin në rajon, por Serbia duhet të trajtohet në tjetër gjuhë, iniciativat që kanë ndodhur duke mos e trajtuar Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, e shtynë njohjen e shtetit të Kosovës dhe uljen e presionit ndërkombëtarë, nuk ka presion ndërkombëtarë pasi po diskutojmë në rajon”.