VV me kallëzim penal për anëtarin e Nismës që kërcënoi Kurtin

Shpërndaje

Përfaqësuesi i zyrës ligjore të Lëvizjes Vetëvendosje, Berat Ganiqi, ka dorëzuar kallëzim penal në stacionin policor në Prishtinë, ndaj anëtarit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hotit, pasi ky i fundit përmes një shkrimi në Facebook tha se Albin Kurti i ka dy opsione, ose ta lëshojë Kosovën ose mund të vritet.

Lajmin e ka bërë të ditur Lëvizja Vetëvendosje përmes një shkrimi në Facebook, njofton Klan Kosova.

“Ne nuk e dimë nëse ai kërcënim ka qenë i porositur, gjakftohtë, apo i nxitur nga kultura e urrejtjes së Lëvizjes, e cila është kultivuar për vite me radhë nga subjektet e pushtetit, që janë pasuruar paligjshëm duke varfëruar Kosovën. Këto gjëra duhet t’i zbulojë policia e prokuroria”.

“Megjithatë, rasti ka rrethana rënduese, për shkak se kërcënuesi është pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Republikës, nga një parti e koalicionit PAN, të shquar për keqqeverisje e kapje të shtetit. Përveç subjektit të vet partiak, nga postimet e tij publike në rrjete sociale kuptohet se kërcënuesi është edhe adhurues i madh i presidentit të Republikës”.

“Shpesh e shohim fenomenin e përzierjes së elementëve me prirje të dhunshme e kriminale me elitat politike, ligjvënëse e ekzekutive. Pikërisht këtë fenomen synon ta luftojë Lëvizja VETËVENDOSJE! Populli i Kosovës nuk dëshiron që kriminelët të jenë në pozita pushteti”.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të VV-së në Facebook.