Erdoğan: Rrjedha Turke, projekt historik në aspektin e raporteve bilaterale dhe në hartën energjetike

Shpërndaje

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në inaugurimin e projektit të tubacionit të gazit natyror “Rrjedha Turke”, ka deklaruar se “ky projekt është historik në aspektin e raporteve bilaterale, si dhe në hartën energjetike, për të cilin kemi bërë përpjekje të mëdha me Rusinë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti turk theksoi se falë projektit, 15,75 miliardë metra kub gaz natyror nga 31,5 miliardë do të vijnë drejtpërdrejt në Turqi pa asnjë shtet ndërmjetësues.

“Bashkëpunimi me Rusinë në sferën e energjisë me sukses ka tejkaluar çdo lloj sprove, sikurse edhe në fushat e tjera”, tha Erdoğan, duke shtuar se po shënohet një rritje e rregullt në tregtinë dypalëshe me Rusinë.

Asnjë projekt në Mesdheun Lindor ku nuk përfshihet Turqia nuk ka mundësi të zbatohet në aspektin ekonomik, kufitar dhe diplomatik”, tha më tej presidenti Erdoğan.

Duke folur për marrëdhëniet me Rusinë, Erdoğan tha se në periudhën e fundit nuk lejuam që dallimet në mendime t’i tejkalojnë interesat tona të përbashkëta.

Duke folur për tensionet midis SHBA-ve dhe Iranit, ai tha se, “Tensioni midis aleatit tonë, SHBA-ve, dhe fqinjit tonë, Iranit, që tashmë për një kohë po vazhdon, arriti në një pikë që nuk e kemi dëshiruar aspak”.

Erdoğan po ashtu theksoi se vendi i tij nuk dëshiron që as Iraku, as Siria, as Libani, e as rajoni i Gjirit të jenë skenë e “luftërave të deleguara”.