Ish-zyrtari i VV-së: Gjermanët ndikuan që Konjufca të bëhet Kryeparlamentar

Shpërndaje

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka më të drejtë që t’i përzihet Lidhjes Demokratike të Kosovës për emrin e presidentit në rast të arritjes së një marrëveshje potenciale për koalicion. Kështu thotë ish-anëtari i kësaj partie që drejtohet nga Kurti, Xhavit Drenori.

Sipas tij më zgjedhjen e Konjufcës në krye të Kuvendit, po ndiqet modeli gjerman sipas të cilit kryeministri dhe Kryeparlamentari i takojnë partisë që i ka fituar zgjedhjet.

Afati kushtetues prej 15 ditësh për të formuar qeverinë do të fillojë të hënën kur edhe pritet që Albin Kurti të mandatohet për Kryeministër nga Presidenti Thaçi në takimin e paralajmëruar mes tyre më 6 janar.
Ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhavit Drenori ka folur për Express lidhur me koalicionin VV-LDK dhe mundësitë e ndarjes së pushtetit tash pas situatës së re të krijuar dhe zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar të Kuvendit.

Drenori ka deklaruar se vizita e fundit e deputetëve gjermanë në Prishtinë ka “ndikuar” që modeli i Gjermanisë për ndarjen e pushteteve të vihet në pah ku fituesi merr Kryeministrin dhe Kryeparlamentarit.

“Me gjasë me “ndikimin” ose jo të deputetëve të Bundestagut, për ndarjen e pozitave kryesore, Presidentit, Kryeministrit dhe Kryepalamentarit, është ndjekur modeli i Gjermanisë i ndarjes së pushteteve (për pozitat kryesore). Pra, Kryeministri dhe Kryeparlamentari i takojnë partisë fituese, ndërsa partia e renditur e dyta në zgjedhje merr Presidentin”, ka thënë Drenori.
Ish-anëtari i VV-së është shprehur se përzgjedhja e Kryeparlamentarit nga ana e VV-së është presioni i fundit ndaj LDK-së se a do të hyjë në koalicion apo jo.

“Ky hap i një anshëm i LVV-së për përzgjedhjen e Kryeparlamentarit ka shkuar edhe një hap përpara për definimin përfundimtar për koalicion ose zgjedhje të reja, pra unë e shoh si një presion i fundit ndaj LDK-së për përcaktim definitiv se a do te hyjë në koalicion me LVV-në apo jo”, u shpreh Drenori.

Tutje ish-kandidati për Kryetar të Komunës së Drenasit tha se LDK-së nuk i ka interesuar shumë posti i Kryetarit të Kuvendit përndryshe do të merrnin vendim që pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës të mos ketë koalicion me VV-në.

Ai po ashtu u shpreh se LDK-ja pas situatës së re të krijuar përpos Ministrisë së Punëve të Brendshme do të marrë edhe një ministri shtesë.

“Pas veprimit të zgjedhjes së njëanshme të Kryeparlamentarit tanimë nuk shoh asnjë alternativë tjetër përveç faktit thuajse të pa kontestueshëm se LDK-ja me një marrëveshje për koalicion qeverisës me LVV-në do i marr dy “pozitat” për të cilat ishin pika kontestuese, atë të Presidentit (kuptohet votat e LVV-së kur të zgjidhet Presidenti në vitin 2021) dhe Ministrinë e Brendshme, eventualisht, edhe një ministri shtesë”, u shpreh ai.

Ish-anëtari i Vetëvendosjes tha se “LVV-ja tash nuk do të ketë as të drejtë “përzierje” për emrin e kandidatit për President të propozuar nga LDK-ja”.

I pyetur nëse e sheh të mundshme një qeveri mes LVV-së, AAK-së dhe Nismës në rast të dështimit të koalicionit me LDK-në, Drenori u shpreh se Vetëvendosja nuk do të negociojë me partitë tjera për një koalicion qeverisës, dhe mos arritja e një koalicioni VV-LDK do të thoshte automatikisht zgjedhje të reja.

Ai tha se pret që koalicioni mes VV-së dhe LDK-së përfundimisht të ndodhë por që tash nuk do të quhet më si “Koalicioni i shpresës” në sytë e qytetarëve.

“Pas gjithë zhvillimeve të muajit të fundit dhe shpërfaqjes në publik të kundërthënieve ndërmjet LVV-së dhe LDK-së në ndarjen e posteve qeverisëse, koalicioni i mundshëm ndërmjet këtyre subjekteve politike nuk do të quhet më si “Koalicioni i shpresës” në sytë e qytetarëve. Përndryshe, si çdo qytetar i Republikës së Kosovës pres dhe dëshiroj që sa më parë të arrihet marrëveshja e koalicionit në mes të LVV-së dhe LDK-së, dhe në bazë të zotimeve para qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore të fillohet zbatimi i tyre, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe se drejtës (çkapjes se shtetit)”, u shpreh ish anëtari i VV-së.