Konkluza të nxjerrura nga debati i sotëm me temën: “Të mbrojmë votën shqiptare” të organizuar nga Lëvizja NDRYSHE

Shpërndaje

Në shpalosjet e Prof. Arbër Çelikut u përmend se përveç që shqiptarët duhet të orientojnë votën e tyre drejt partive politike, ai gjithahtu theksoi edhe mbrojtjen e votes shqiptare në kuptim të barazpeshës së saj juridiko-administrative nëpër njësitë zgjedhore të RMV. Sepse, sipas tij, nuk është normale, madje diskriminuese që në njësinë e 6 zgjedhore një kandidat të bëhet deputet me 12 mijë vota përderisa nëpër njësitë e 1, 3 dhe 4, një kandidat (maqedonas) të bëhet deputet me 5 mijë vota. Pra kemi një diskriminim ndaj peshës së votave.

Përfaqësuesi i Platformës Rinore Shqiptare, Arbër Kadriu, nënvizoi se situata tek të rinjtë është alarmante saqë janë detyruar të marrin qëndrim të refuzimit të daljes në votim nëse nuk ka ndonjë bashkim tek partitë e vogla. Përmes simbolikës së dredhëzës ai pasqyroi se shqiptarët japin kontributin dhe produktivitetin e tyre jashta shtetit të tyre mu sikurse dredhëza e cila ka farat jashtë vetes së saj. Z. Kadriu tha se beteja duhet të zhvillohet këtu dhe partitë gjithnjë e më shumë duhet dhënë hapësirë të rinjëve. Ai potencoi se qytetarët janë duke vuajtur shumë nga pesimizmi saqë kanë filluar të identifikohen me veset e këqija. Kjo situatë duhet të evitohet sa më shpejt në mënyrë që të sanohen dëmet e shkaktuara.

Alisetar Ramadani nga Diaspora Shqiptare theksoi se partitë politike kanë harruar Diasporën dhe kontributet e saj. Ai shpalosi se si kanë ndihmuar shumë përfaqësues të partive shqiptare të vizitojnë Stejt Departamentin Amerikan dhe shumë senatorë amerikan. Kanë lobuar nëpër Qeveri të ndryshme evropiane duke u ndihmuar partive shqiptare në mënyrë që ata të jenë sa më të dobishme për vet shqiptarët. Ai deklaroi se bashkimin eventual të partive të vogla e pret me shumë kënaqësi sepse, sipas tij, edhe vet Diaspora Shqiptare ka luajtur rol të madh të afrimin e tyre. Ai apeloi deri tek partitë që mos të harrohet diaspora dhe pesha e saj që luan ajo.

Kur debati u hap me pjesëmarrësit dhe pyetjet u drejtuan panelistëve, vërehej nevoja e qytetarëve për hapësirë debatuese e cila ka munguar gjatë kohë. Bekim Kçiku diskutoi mbi dinjitetin e secilit qytetar që nuk duhet nëpërkëmbur nga partitë sepse vota është e shenjtë dhe përfaqëson mendimet, qëndrimet, botëkuptimet pra të gjithë qenien tonë. Leonard Kaja shtroi dilemën dëshpërimin maksimal të qytetarëve shqiptarë sa që përmendi shembuj konkret për ikje të tyre. Madje ai tha se migrimi i ka përfshirë edhe ata që janë mirë ekonomikisht. Ai madje dha edhe shumë aletrnativa se si duhet parandaluar migrimet por tha që pikë së pari duhet politika të dëgjojë.

Bekim Nuhiu, veteran dhe invalid i Konfliktit të 2001, deklaroi se shqiptarët janë jashtëzakonisht të dëshpëruar dhe se shumë nga ata po ikin nga sigurimi i kafshatës së gojës. Ai nënvizoi se si pasurimi i shpejt i politikanëve shqiptarë ndikon në shtimin e dëshpërimit të shqiptarëve sepse “sytë janë për me pa”!

Nga debati i sotëm u porositën partitë shqiptare pa dallim se duhet t’i qasen qytetarit shqiptar me seriozitetin maksimal, duke e dëgjuar atë me kujdes për nevojat e tij, dhe t’i japin hapësirën e duhur rinisë shqiptare në procesin e vendimmarrjes. Panelistët dhe debatuesit ishin njëzëri që popullit shqiptar t’i demonstrohej një kulturë e lartë politike nga ana e partive politike shqiptare si dhe të evitohen përplasjet e tyre me fjalor banal. Skena politike dhe fushata parazgjedhore të shndërrohen në konkurencë programesh, vlerash dhe idesh në mënyrë që atmosfera të bëhet sa më atraktive për vet votuesit shqiptarë.

Në fund, Lëvizja NDRYSHE falënderoi panelistët dhe pjesëmarrësit për mendimet dhe sugjerimet e ndara me shpresën që kontributi i tyre të ndryshon skenën politike në të mirën e qytetarëve shqiptarë.