Ky është vendimi që mori mbrëmë PDK-ja për takimin me Borrellin

Shpërndaje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin e përfaqësuesve të partive të Kosovës me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ai ka thënë se këtë vendim e kanë marrë për shkak se “takimi i sotëm është i pakuptimtë në kushtet e mosekzistencës së Qeverisë dhe institucioneve të reja”.
Veseli tha se PDK-ja në mbledhjen e kryesisë që ka zhvilluar mbrëmë ka marrë qëndrim përkitazi me zhvillimet e fundit që ndërlidhen drejtpërdrejt me vizitën e tij.

“PDK-ja vlerëson lartë mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të BE-së që i ka ofruar Kosovës në të gjitha periudhat e ndërtimit dhe konsolidimit. I mirëpresim vizitat e çdo zyrtari të lartë evropian. Çmojmë përpjekjet e BE-së në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes vendeve të Ballkanit. Lidhur me takimin e sotëm të thirrur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë për takim të Borrellit me përfaqësues të partive, unë si kryetar i PDK-së, dhe si PDK nuk do të marrim pjesë si gjest politik dhe mesazh se takimi sot është i pakuptimtë në kushtet e mosekzistencës së qeverisë dhe institucioneve të reja. Kërkojmë që mosprezenca jonë të kuptohet si alarm se procesi i dialogut ka degraduar viteve të fundit”, ka deklaruar ai në një konferencë për media.