Mazhoranca dhe opozita nisin takimin për Reformën Zgjedhore

Shpërndaje

Përfaqësuesit e opozitës dhe të mazhorancës kanë nisur mesditën e kësaj të marte takimin për Reformën Zgjedhore.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë ulur për herë të parë në një tryezë diskutimi me mazhorancën.

Informacionet bëjnë me dije se në këtë tryezë opozita përfaqësohet nga Oerd Bylykbashi, i PD dhe Petrit Vasili nga LSI.

Të pranishëm në tryezë do të jenë gjithashtu, Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, përfaqësues i Partisë Socialiste, si edhe bashkëkryetarja tjetër e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari, përfaqësuese e opozitës parlamentare.

Disa media shkruajnë: Basha dështon me “sukses”, ulet në tryezë me Damian Gjiknurin e Rudina Hajdarin për reformën zgjedhore

Lulzim Basha ka dështuar me sukses të plotë, duke pranuar të ulet me tryezë me dy nga njerëzit që kishte kërkuar me insistim t’i përjashtonte nga Komisioni për Reformën Zgjedhore, deri duke bojkotuar dhe OSBE-në.

Menjëherë pas takimit me partitë aleate për ndryshimet në ligjin e ri zgjedhor dhe mandatimit për diskutime të nënkryetarit të LSI Petrit Vasili dhe ish deputetit të PD Oerd Bylykbashi, të deleguarit e tij kanë zhvilluar një takim me bashkryetarët e Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri të PS dhe Rudina Hajdari të opozitës së re parlamentare.

Gjithë beteja opozitare për dejegien e mandateve të deputetit dhe bojkotin e zgjedhjeve për pushtetin vendor të 30 qershorit kanë shkuar dëm, duke u kthyer në pikën e nisjes.

Fotoja e përbashkët “familjare” flet më shumë se gjithçka për këtë betejë të humbur në të gjitha planet nga ana e opozitës së bashkuar.