Mjerimi mbetet i përbashkët në Mitrovicë

Shpërndaje

Në këtë urë që mbi supet e saj numëron mbi një mijë incidente prej pas luftës e deri më sot, nuk ka asnjë pengesë betoni, siç ishin më parë, por në anët jugore dhe veriore të saj vazhdimisht qëndrojnë automjete të KFOR-it dhe policisë, që pasqyrojnë realitetin e ndarjes etnike.

Ndonëse kanë kaluar 20 vjet nga përfundimi i luftës, Mitrovica vazhdon të mbetet qytet i ndarë, me shqiptarë në jug dhe kryesisht me serbë në veri.

Ura kryesore mbi lumin Ibër, është ndër të vetmet që në vend të bashkimit, simbolizon ndarjen e këtij qyteti, edhe pse bashkësia ndërkombëtare pati dhënë para të majme për rivitalizimin e saj, me synimin e krijimit të lidhjeve më të mira mes jugut dhe veriut.

Jeta dhe problemet e përditshme në të dyja pjesët janë të vetmet që simbolizojnë unitetin e qytetarëve në këtë qytet.

Ata përmendin papunësinë, çështjet ekonomike e sociale, infrastrukturën dhe të ngjashme, si problemet kryesore me të cilat përballen pothuajse çdo ditë, ndërsa gjendjen e përgjithshme e quajnë mjerim.

Jahir Delijaj, pensionist nga jugu i Mitrovicës, thotë për KosovaPress, se pa përmirësimin e gjendjes së përgjithshme ekonomike, pa funksionimin e mirëfilltë të gjykatave, si dhe pa punësimin e të rinjëve, nuk ka perspektivë.

Sipas tij, veprimet e udhëheqësve janë lojëra politike nga të cilat janë lodhur qytetarët.

Delijaj potencoi se pjesa dërmuese e popullatës jeton në mjerim.

Ai flet me nostalgji për periudhën e paraluftës, duke e përshkruar si kohë kur kanë funksionuar gjërat dhe shteti, ndërsa u shpreh optimist për një të ardhme më të ndritshme.

“Jemi lodhur, thjeshtë shihen se janë lojëra politike me njerëz dhe vërtetë jemi lodhur prej tyre…Në radhë të parë përmirësimi i gjendjes ekonomike, punësimi i të rinjëve, pastaj siguria, funksionimi i rendit dhe ligjit, respektimi i ligjit, sepse këtu tek ne ligji nuk respektohet. Pra, pa u rregulluar gjendja ekonomike, pa funksionu gjykatat si duhet dhe pa punësimin e të rinjëve, këtu perspektivë nuk ka…Më vjen keq, por më duhet ta them se para vitit 99 vërtetë ne kemi pasur represion nga regjimi serb, mirëpo disa gjëra kanë funksionuar. Shteti ka funksionuar, pavarësisht na ka pëlqyer ose jo. Ligji është respektuar, ka pasur rregulla, ndërsa tash luhen lojë pa rregulla…Një pjesë shumë e vogël e qytetarëve jeton mirë, pjesa e pushtetarëve, ata që kanë politikën në dorë dhe që udhëheqin, ndërsa pjesa dërmuese e popullatës vërtetë është në mjerim… Megjithatë, unë mendoj se e ardhmja ës htë e ndritshme, por kur do të vjen është pikëpyetje, sepse shumë ngadalë po ia lëmë vendin të resë, shumë ngadalë po ua japim besimin të rinjëve. Pa ua dhënë besimin të rinjëve, pa marrë të rinjtë udhëheqjen, kudo qoftë, nuk ka perspektivë në këtë vend”, ka thënë Delijaj.

Edhe Millosh Vuksanoviq, taksist nga veriu i Mitrovicës, gjendjen e përgjithshme të qytetarëve në atë pjesë e ka quajtur mjerim.

Ai tha se derisa mbetet e vështirë çështja e punësimit, gjendja e qytetarëve është e mjeruar.

“Relativisht vështirë, nuk ka punë, ekonomikisht është vështirë të fitohet, do të thotë se vështirë është të gjendet ndonjë punë në përgjithësi… Mendoj se është gjendje e mjeruar, sepse kur nuk mund të sigurosh ekzistencën për jetesë dhe artikujt themelorë, atëherë është mjerim”, theksoi për KosovaPress Vuksanoviq.

Ai shpreson në të ardhmen të ndryshojë kjo gjendje e rëndë dhe të bëhet më mirë për qytetarët, por pa përmendur saktë kur do të ndodhë kjo.

Ngjashëm rreth gjendjes ekonomike u shprehën edhe disa qytetarë tjerë të veriut, por të cilët nuk pranuan të flasin para kamerës.

Ndërkaq, Florentina Hajra nga shoqëria civile, situatën e sheh pak më ndryshe.

Sipas saj, krahasuar me të kaluarën që gjithçka është politizuar, vëmendja e qytetarëve ka kaluar tek problemet e përditshme, për të cilat tha se janë pothuajse të njëjta si në veri ashtu edhe jug.

Ajo potencoi shkallën e lartë të papunësisë në Mitrovicë, të cilën e quajti emergjente.

Gjendja e qytetarëve nuk është e mirë, shtoi Hajra, por tha se nuk është e mjerueshme.

Ajo duke folur për të ardhmen, nuk u përcaktua optimiste ose pesimiste, por tha se qytetarët kanë kërkuar ndryshimin dhe ajo duhet të ndodhë, ndryshe zhgënjimi i tyre do të jetë i madh.

“Problemet infrastrukturore, papunësia, zhvillimi ekonomik, aspekti social etj, mbeten të njëjta edhe me veriun. Këto janë brengat kryesore që qytetari i Mitrovicës i hasë, dhe që mbeten brengat më të rëndësishme…Shkalla e papunësisë në Mitrovicë mbetet emergjente, sepse është shkalla më e lartë krahasuar me qytetet tjera, zhvillimi ekonomik dhe të ngjashme, kjo si pasojë ndoshta e politizimit tejmase të situatës në të cilën gjendet Mitrovica…Nuk kisha thënë se është gjendje e mjerueshme, mendoj se është gjendje që duhet me punu për me u përmirësu. Do të thotë gjendja nuk është e mirë, nuk është e kënaqshme. Synimet janë për me pas zhvillim dhe me u përmirësu gjendja e qytetarëve, por s’kisha thënë se është gjendje e mjerueshme. Gjendje e mjerueshme ka qenë në vitet e para të pasluftës dhe ndryshimi është evident…Nuk mundem me u shpreh nëse jam optimiste ose pesimiste në kuptimin se ten toj me i pa gjërat më objektivisht, por nëse qytetarët kanë kërkuar ndryshim, ndryshimi medoemos duhet me ndodhë, në të kundërtën dëshprimi mund të jetë shumë i madh”, u shpreh Hajra.

Në anën tjetër, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, ka apeluar tek të gjithë që gjërat mos të politizohen në Mitrovicë, siç ndodhë shpesh, sepse kjo mund të shkaktojë tensione të panevojshme tek qytetarët.

Ai bëri të ditur për KosovaPress se qyteti i Mitrovicës është ndryshe nga vendet tjera.

“Ne në vazhdimësi në çdo deklaratë publike kemi bërë apel tek qytetarët që çështjet të karakterit të rendit publik, të sigurisë së përgjithshme, ose të sigurisë individuale, të mos banalizohen në nivelin politik, sepse politika nuk ka ingerencë në çështje të tilla. Janë çështje kryesisht ligjore të cilat policia obligohet t’i zbatojë…Marrë parasysh vetë statutin politik në të cilin gjendemi momentalisht, kjo në një formë e bën Mitrovicën e veriut ndoshta si një qytet më ndryshe në aspektin e zhvillimit të politikave të ndryshme të sigurisë dhe të udhëheqjes së pushtetit lokal në masën si udhëhiqet ajo në komunat dhe pjesët tjera të Kosovës”, sqaroi majori Hoti.

Ndryshe, mbetet të shihet nëse e ardhmja do të arrijë që problemet e përditshme të mbijetesës, të eliminojnë ndarjen nacionaliste të qytetarëve këtu. /KP