Mosmarrëveshjet VV-LDK për qeverinë e re, Kurti: Skenari me i keq i mundshëm janë zgjedhjet e reja

Shpërndaje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti në një intervistë për emisionin “360 gradë” në RTV Ora foli edhe për mosmarrëveshjet me LDK-në për formimin e qeverisë. Sipas tij, skenari më i keq i mundshëm janë sërish zgjedhjet e reja.

Artur Zheji: Si e shpjegoni që Isa Mustafa ka deklaruar që për ne vazhdon të jetë kandidate për kryeministri Vjosa Osmani?

Albin Kurti: Mua nuk ma tha në takimin e fundit dhe unë besoj që takimet e brendshme që janë zyrtare janë më të rëndësishme.

Artur Zheji: Ka qenë hipokrit me ju apo me publikun?

Albin Kurti: Pyeteni atë

Artur Zheji: E keni aleat, do bëni qeverinë me atë…

Albin Kurti: Nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë të tij.

Artur Zheji: Atëherë nuk punon mirë stafi juaj mediatik, sepse e ka thënë unë nuk e sajova, mund ta verifikoni.

Albin Kurti: Nuk e vë në dyshim, tregova një fakt për veten që nuk e kam dëgjuar vetë, ama ju besoj juve.

Artur Zheji: Çdo njeri kur kryen zgjedhjet nuk mund të jetë më vendi i dytë kandidat për kryeministër, se unë aty fillova të hulumtoj për teoritë potenciale konspirative.

Albin Kurti: Nuk e di, unë po ju tregoj si është situata në Kosovë.

Artur Zheji: I bie që ne në Shqipëri jemi më të poshtër se ju në Kosovë në hamendësimet tona, më të liq, se ne i mendojmë të gjitha opsionet.

Albin Kurti: Nuk besoj që është ashtu. Njerëzit që  e duan fitoren e VV frikësohen mos po ja vjedh dikush. Pra e kanë nga frika e dashamirit. Pra një numër i madh i njerëzve, të cilët ne na ankohen….

Artur Zheji: I kap ankthi…

Albin Kurti: Shqiptarët kanë përvojë të hidhur dhe tani nuk i besohet.

Artur Zheji: Ju jeni i bindur që nuk është ky rasti. Ky rast nuk do jetë një zhgënjim mendoni ju?

Albin Kurti: Gjithçka tregon dhe dëshmon që gjërat po vonohen, por janë në drejtimin e duhur . Pra nuk ka ndryshim drejtimi, ka vonesë. Pra nuk ka as strategji as parime të tjera, veç çështje taktike.

Artur Zheji: Treni po vonohet në stacion, por nuk ka dalë nga binarët. Po marrim hipotezën që konspiracioni e nxjerr trenin nga binarët, pra tradhtohet vullneti popullor i Kosovës?

Albin Kurti: Atëherë, zgjedhje të reja do të kemi sërish. Skenari më i keq i mundshëm, në këtë situatë janë zgjedhjet e reja, që i bie që në binarë të njëjtë, treni do niset nga fillimi.