Nëse zgjidhet çështja e MPB-së, nesër votohet Qeveria teknike

Shpërndaje

Maqedonia e Veriut nga nesër e deri në zgjedhjet e 12 prillit do të drejtohet qeveria e re teknike, në krye të së cilës pritet të jetë ministri aktual i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.

Koncepti i qeverisë teknike u aplikua pas krizës së thellë politike në vitin 2015, në kohën kur lideri i LSDM-së Zoran Zaev, kishte filluar të publikonte bisedat e përgjuara telefonike përmes të cilave u ngritën dyshime për shumë zyrtarë të qeverisë së Nikolla Gruevskit dhe vetë ish kryeministrin për përfshirje në krime të rënda.

Publikimi i “bombave” e çoi vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin 2016 që u organizuan për herë të parë nga Qeveria Teknike, për të cilën kishin rënë dakord katër partitë më të mëdha politike pas bisedimeve disa mujore në lagjen Përzhinë të Shkupit. Ky koncept që u arrit me ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtarë tani është obligim ligjor.

Qeveria teknike formohet 100 ditë para zgjedhjeve, kurse i pari i Qeverisë Zoran Zaev ka paralajmëruar se më 3 janar do të jep dorëheqjen nga posti i kryeministrit. Sipas procedurave Parlamenti e konstaton dorëheqjen me çka bie gjithë qeveria, kurse më pas presidenti Stevo Pendarovski duhet t’ia jep mandatin ministrit të punëve të brendshme Oliver Spasovski, i cili u propozua nga LSDM-ja për kryeminstër të Qeverisë teknike. Spasovski duhet ta propozojë qeverinë e re, kurse parlamenti pritet ta votojë аtë përbërje qeveritare e cila do ta drejtojë vendin deri në zgjedhjet e parakohshme dhe formimin e qeverisë së re./GazetaExpress/