Një porosi për diasporën shqiptare!

Shpërndaje

Shkruan: Dervish Alimi

Diaspora shqiptare e cila për shkaqe objektive apo politike dhe për shkaqe subjektive apo ekonomike ka qenë e detyruar ta braktisi vendlindjen nuk e ka aspak të drejtën morale dhe njerëzore të na thotë neve që mbetemi të rezistojmë në vendlindje: “Ju mos u ankoni se jeni mirë atje, nën sundimin e BDI dhe qeverisjen e LSDM” (apo edhe VMRO më herët!), dhe moz o më keq, të vijë në vendlindje që t’i votojë të njëjtët për ta zgjatur agoninë tonë këndej!

Më e pakta që mund të bëjnë kurbetqarët tanë është të solidarizohen me shqetësimet tona, për shkak të të cilave edhe ata u larguan, dhe mundësisht me ardhjen e tyre këndej në kohë të zgjedhjeve, të na bëjnë shërbim dhe ta dënojnë subjektin politik që i mban edhe ata larg vendlindjes, për hir të faktit dhe “fajit” se nuk ka siguruar kushte të volitshme politike dhe ligjore për t’i tërhequr politikisht dhe ekonomikisht që të kthehen në vendlindje, si investitorë ekonomikë apo si kthimtarë në vendlindjen e tyre aq të ‘idilizuar’.

E kuptojmë mallin dhe mallëngjimin tuaj për familjarët e mbetur në vendlindje, por nëse na e doni të mirën, mos e përkrahni një parti, që qëndron aq gjatë në pushtet jo në baze të meritave demokratike por me ndihmën e aleatëve të saj strategjikë dhe më anë të fushatës së saj të “shkopit dhe karrotës” mdaj qytetarëve të pafat dhe nevojtarë!

Nëse megjithatë mendoni se ky pushtet meriton të vazhdojë regjimin e tij, do t’ishte e udhës që këtë ta dëshmoni në vepër, dhe të vini t’i ndihmoni këtij pushteti të ‘lakmueshëm’ për ju, me braktisjen e vendeve në të cilat shkuat të punoni dhe veproni përkohësisht, dhe të ktheheni me kapitalin tuaj ekonomik të fituar ndër vite, që të investoni me hapjen e fabrikave dhe zejtarive që i këni mësuar dhe praktikuar matanë kufirit, dhe kështu do të na ndihmonit edhe neve që kemi mbetur pa u larguar, në mënyrë që të gjithë së bashku të zhvillohemi ekonomikisht dhe kësisoj të fuqizohemi politikisht!

Jeni të mirëseardhur të vini në vendlindje dhe me ndihmën e subjektit tuaj të preferuar që do t’ju pranonte dhe mirëpriste duarhapur (pa ju kërkuar rushfete dhe përqindje?!) dhe do t’ju privilegjonte si simpatizantë të dëvotshëm, në blerjen e ndërmarrjeve të privatizuara por të paristartuara ekonomike të kohës së socializmit, apo në krijimin e zonave industriale ekonomike, aq të propaganduara dhe të dëshiruara prej të gjithëve!

Përndryshe, çdo tifozllëk tjetër për partinë në pushtet është vetëm dëshmi e dyftyrësisë dhe indiferencës njerëzore dhe politike, sepse logjikisht nëse do t’u pëlqente aq shumë puna e këtij subjekti, njerëzit do të ktheheshn dhe nuk do të largoheshin edhe më masovikisht.

Askush që ka qenë dhe është i kënaqur me standardin politik dhe ekonomik tani dhe me parë, nuk do të kishte pasur dhe nuk do të kishte arsye të largohej!

Sekush që është i kënaqur me standardin politik dhe ekonomik në vendlindje do të kishte vendosur të kthehej apo të qëndronte në vendlindjen e vet të dashur…!

Prandaj, nëse nuk mund të na ndihmoni me investime ekonomike apo me ardhjen tuaj të votoni në vendlindje për t’i dënuar këta që ju larguan, së paku mos na shitni moral dhe mbani lekcione për “kënaqshmërinë tonë të supozuar me pushtetin aktual”..!

P.S. Mos tentoni të më bindni mua në të kundërtën, se unë me dekada kam qenë dëshmitar i peripecive tuaja, dhe jam akoma në kontakt të përditshëm me kurbetin në sajë të profesionit tim si përkthyes, por përpiquni ta bindni vetveten se mënyra më e mirë për të na ndihmuar, nëse na e doni të mirën, është të vini, si qytetarë të lirë dhe të përgjegjshëm që jeni, dhe të votoni kundër pozitës, me atë se do të votoni për opozitën, duke ia dhënë shansin ta dëshmojë veten, pa e paragjykyar paraprakisht!

Kërkoj falje paraprakisht për çdo keq-kuptim dhe -intepretim eventual, dhe ju siguroj për qëllimet e mia më të sinqerta në interesin e përgjithshëm! Fundja, edhe unë kam 99 arsye të jem indiferent dhe të shikoj punën time, por vetëm 1 arsye s’më lë rehat pa e thënë të vërtetën ashtu si ma thotë ndërgjegja, sepse mendoj fuqishëm se secili prej nesh duhet të jep kontributin e vet modest në të mirë të shoqërisë!