PDK i quan të pavërteta raportimet për takimin me partnerët e PAN-it

Shpërndaje

Partia Demorkatike e Kosovës (PDK), i ka quajtur të pavërteta dhe spekulime raportimet në disa media vendore se kryetari i saj, Kadri Veseli ka takuar partnerët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, i njohur si PAN, për krijimin e koalicionit qeverisës.

“Është i pavërtetë dhe spekulim lajmi se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli është takuar me disa kryetarë të partive tjera për të diskutuar gjoja formimin e koalicionit qeveritar. Z. Veseli është në takime sot gjatë ditës me zyrtarë të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e kësaj partie.

PDK-ja thotë se do të mbetet në opozitë sikurse e ka konfirmuar Veseli më 6 tetor 2019.

“Çfarëdo vonese në krijimin e qeverisë se re nga partia që ka dalë e para, është e dëmshme për interesin e vendit dhe të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në këtë deklaratë.

Lëvizja Vetëvendosje (VV) e cila doli fituese e zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që u pozicionua e dyta, ende nuk kanë arritur që të arrijnë një marrëveshje koalicioni për bashkëqeverisje, ndonëse kanë kaluar më shumë se 3 muaj nga zgjedhjet nacionale, si dhe rreth 6 muaj nga dorëheqja e qeverisë.

Kurse, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka bërë sërish thirrje kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurtit që t’i përgjigjet zyrtarisht me marrjen ose refuzimin e mandatarit për krijimin e qeverisë.

Presidenti në një adresim para gazetarëve sot, ka thënë se vendimi i nënshkruar nga ana e tij, për mandatarin gjendet i gatshëm në tavolinën e tij të punës.