Presidenti Thaçi paralajmëron heqjen e kufijve me Shqipërinë

Shpërndaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë një falënderim të gjatë ndaj Shqipërisë për gjithë ndihmën që iu dha shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve të luftës dhe gjatë viteve sa ishte nën Jugosllavinë.

Ai këto fjalë i tha në akademinë solemne ““Faleminderit Shqipëri” e organizuar nga qendra “BogdaniPolis” e Katedrales “Shën Nënë Tereza”.

“Kjo akademi me karakter falënderimi na sprovon mendjen tonë të kthjellët dhe zemën tonë të pastër përa fjalës më sublime, atdheut. Vendit ku kanë jetuar të parët tanë i shprehim falënderim të veçantë”.

“Atdheu është i përjetshëm dhe individi i përkohshëm. Atdheu është hyjnor, prandaj falënderohet përulësisht Shqipëria e përjetshme dhe historike, Shqipëria skënderbegiane që i mbijetoi shekujve, luftërave dhe pushtimeve. Shqipëria që qëndron mbi çdo ideologji, Shqipëria e tolerancës dhe unitetit fetar. E gjuhës dhe kulturës sonë të përbahskët që nuk u zhbë nga asnjë trysni. Shqipëria me frymë dhe traditë evropiane perëndimore”.

Thaçi në këtë fjalim para shumë figurave të larta shtetërore tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të jetojnë në një hapësirë pa kufij që i ndajnë.

“Në vitin 1999 ra përfundimisht kufiri më i blinduar në Europë, ai midis tokave shqiptare. Unë besoj që Kosova dhe Shqipëria shumë shpejt do të kenë një hapësirë pa kufi me një aktualitet të përbashkët dhe një të ardhme të përbashkët, pa kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe të gjitha hapësirave kudo që jetojnë shqiptarët në rajonin tonë në ombrellën euroatlantike”, njofton Klan Kosova.

“Falendëerojmë Shqipërinë që mbrojti dhe pati kapacitete t’i strehojë shqiptarët e Kosovës dhe që përkrahu ngritjen e Kosovës edhe në vitin 1968 dhe 1981 në kërkesën për Kosovën Republikë. Pa Shqipërinë nuk do të kishim çlirim dhe nuk do të ishim të pavarur. Shqipëria që mbrojti dhe mbështeti fuqishëm projektin e shenjtë të UÇK-së”.

“Në kulmin e luftës në vitet 1998-99, pavarësisht kushteve të vështira ekonomike, mbajti gjysmë milion shqiptarë të Kosovës. Sot një falënderim të veçantë dhe personal për kryeministrin e asaj kohe Pandeli Majko dhe presidentin aktual Ilir Meta”.

“Shqipëria që e sfidoi gjenocidin e shteti të Serbisë në fushatën për spastrim etnik, ky është atdheu. Kosova përjetë i është mirënjohëse Shqipërisë që mbajti komandantin legjendar Adem Jasharin, Fehmi dhe Gjevë Lladrovcin, Luan Haradinaj e shumë luftëtarë të tjerë. Falënderojmë Shqipërinë që na mbajti edhe neve të gjallëve”.

Thaçi foli edhe për tragjedinë e tërmetit të fundit në Shqipëri duke thënë se shqiptarët e Kosovës e përjetuan më thellë dhe më rëndë fatkeqësinë sesa pjesa tjetër e botës që i ndihmoi ata.

“Ndjenjat tona kanë qenë ndryshe, më të thella, ishin vëllazërore. FSK-ja dhe Policia u përkushtuan për shërbimin profesional dhe atdhetar. Shqiptarët e Kosovës dhanë gjithçka për Shqipërinë në këtë kohë dhe i falënderoj”.